Maqedonia edhe në KFOR me një oficer shqiptar

Maqedonia

Maqedonia edhe në KFOR me një oficer shqiptar

Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 10:08
Foto ilustrim

Republika e Maqedonisë për çdo vit duhet të ndajë nga 1.2 milionë euro nga arka shtetërore për buxhetin e NATO-s. Pas nënshkrimit të Protokollit, Maqedonia është në pritje t’i caktohet edhe një vend në misionin ushtarak të KFOR-it në Kosovë, kurse ky oficeri që do të emërohet atje – pritet të jetë shqiptar

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, diku afër 1.2 milionë euro, Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të ndajë nga arka e saj shtetërore për të participuar në buxhetin e NATO-s. Por kjo sipas zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk është një shumë e madhe. Sipas tyre, pjesa më e madhe e investimit që bëhet për NATO-n është investim në vet sigurinë dhe armatën e vendit, dhe se kjo nuk është ndonjë barrë e madhe për Buxhetin e shtetit. Pas nënshkrimit të Protokollit për anëtarësim në NATO, pritet të rritet edhe numri i personelit të misionit të Maqedonisë në selinë e Aleancës, për shkak të volumit të madh të punës.

“Misioni i Maqedonisë në NATO ka pjesën e saj mbrojtëse dhe diplomatike, pra përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sipas planeve tona, qëllimi është që në misionin tonë në NATO të kemi 15 përfaqësues të ministrisë së Mbrojtjes nga të cilët pjesa më e madhe do të jetë personel ushtarak. Pra të fokusuar në bashkëpunimin ushtarak, me siguri do të jenë 10 persona ushtarak dhe pesë civil apo administrator shtetëror. Për momentin atje kemi katër, të cilat shumë shpejtë do të ndihmohen edhe nga dy administratorë tjerë shtetëror dhe persona ushtarak dhe në fazë janë konkurset edhe për tre vende tjera. Kështu që presim që në një afat prej 2-3 muaj, atje të ketë 9 apo 10 persona të rijë dhe deri në fund të vitit të plotësohen edhe vendet tjera të lira”, thonë për gazetën KOHA nga Ministria e Mbrojtjes.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti, shprehet se në të gjitha misionet që do t’i paraprijnë aktiviteteve deri në anëtarësimin e plotë të vendit në NATO, do të respektohet edhe përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i shqiptarëve. “Edhe deri më tani është respektuar përfaqësim adekuat i shqiptarëve në misionet e NATO-s, por edhe në misionin e NATO-s në Bruksel, si nga Ministria e Mbrojtjes ashtu edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në këtë drejtim kemi marrëveshje të kemi përfaqësim adekuat. Në pritje jemi nga NATO të në caktohet një pozitë oficeri-ushtarak për në misionin e KFOR-it në Kosovë. Dhe kuptohet se oficeri i parë që do të emërohet atje, do të jetë shqiptar. Për momentin nuk mund të flas as për emra, as për numra, për arsye se mund të ndikohet në proces”, deklaroi për gazetën KOHA, Maksuti.

Në muajin mars, për herë të parë Maqedoni pas një kohe të gjatë do të dërgojë edhe përfaqësuesin e saj në Mons, në funksion të përmirësimit të lidhjeve ushtarake, pasi që bashkëpunimi më i madh me NATO-n do të jetë më i theksuar në dimensionin ushtarak. Edhe pse për vite të tëra Maqedonia nuk ka pasur përfaqësuesin e saj në Mons, këtë vit për herë të parë është planifikuar, po ashtu është siguruar edhe rritje e numrit të personelit ushtarak i cili do të marrë pjesë në misionet e NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat