Kostovski: Përgjimet në DSK janë ndarë në kategori, LSDM, politikanë shqiptarë, biznesmenë, gazetarë… - Bota Sot
Kostovski: Përgjimet në DSK janë ndarë në kategori, LSDM, politikanë shqiptarë, biznesmenë, gazetarë…

Maqedonia

Kostovski: Përgjimet në DSK janë ndarë në kategori, LSDM, politikanë shqiptarë, biznesmenë, gazetarë…

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 15:49
Foto Ilustrim

Përgjimi i paligjshëm në Drejtorinë për siguri dh Kundërzbulim, është kryer sipas një skeme të caktuar, gjegjësisht targetët janë vendosur në disa kategori ose raste. Për shembull, kategoria e parë ka qenë LSDM, pastaj politikanët shqiptarë, përfaqësuesit e sektorit të biznesit, gazetarët, ndërkaq në kategorinë e pestë kanë qenë të përgjuarit për nevoja operative.

Këtë e tha sot në seancën gjyqësore për rastin e Prokurorisë Speciale “Target dhe Fortesa”, dëshmitari XvonkoKostovski, përpara syve të së cilit ka ndodhur përgjimi i paligjshëm dhe i cili bashkë me kolegun e tij GjorgjiLlazarevski e zbardhën aferën e përgjimeve në Maqedoni

Ai theksoi se ky selektim është bërë me urdhër të eprorit në DSK, Goran Grujovski.

“Me urdhër gojor nga Grujovski dhe eprores Nadica Nikoliç, shenjëzuesit, i kanë futur numrat në sistemin e përgjimit dhe u kanë vënë pseudonime, ndërkaq më pas edhe i kanë vendosur në kategori. Gjithashtu u kanë thënë shenjëzuesve që të caktojnë se cilat persona të kenë qasje deri te numrat e caktuar telefonik”, theksoi dëshmitari Kostovski.

Ai sqaroi se pasi që ka arritur sistemi i ri për përgjim “Najs”, Grujoski ka kërkuar nga ai që t’i fik kamerat, t’i nxjerrë hard-disqet nga sistemi i vjetër “Verin”, që t’i shkatërrojnë, por ai ka refuzuar dhe e ka këshilluar që të mos e shkatërrojë sistemin pasi që ka qenë duke u udhëhequr procedurë për furnizimin e saj.

“Grujoski më tha se nuk ka çfarë të mendojmë, atë le ta mendojë ekipi juridik i MPB-së”, tha Kostovski, duke shtuar se sistemi që është planifikuar të shkatërrohet ka qenë në gjendje funksionale dhe se ka qenë i pari mes sistemeve për përgjim.

Në pyetjen e prokurorit, Trajçe Pelivanov, nëse ky sistem i ka ruajtur të gjitha aktivitetet, ai u përgjigj se për gjithçka ka ngelur gjurmë, gjegjësisht kush është kyçur, kush ka shenjëzuar numra, kush ka përgjuar e kështu me radhë.

Ndryshe, në rastin “Target-Fortesa” të akuzuar janë ish-kryeshefi i Drejtorisë së pestë në MPB Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK Nikolla Boshkoski, të cilët janë në arrati në Greqi, ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, si dhe ish shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski.

Sasho Mijallkov, Goran Grujovski dhe Nadica Nikoliq formuan një shoqatë kriminele për përgjim të paligjshëm, të cilët më vonë u bashkuan edhe të pandehurit Silvana Zlatkova, Vlladimir Varelov, Vasil Isakoski dhe MarjanShumulikovski, si dhe dëshmitarët Vllatko Georgievski, Marjan Jankulovski dhe Xvonko Kostovski. Kostovski ia ka dorëzuar shënimet Gjorgji Lazarevskit, i cili, megjithatë, ia ka dorëzuar Zoran Verushevskit, ndërsa ai Zoran Zaevit, i cili më vonë ia ka dorëzuar PSP-së.

Hetimi për lëndën “Fortesa” ishte hapur më 29 mars të vitit 2016, ndërsa për lëndën “Target” më 17 nëntor të vitit 2016, ndërsa për shkak të lidhshmërisë së tyre janë bashkuar në një lëndë. Akuza është ngritur më 30 qershor të vitit 2017.

Sipas aktpadisë, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë joligjore ishin përgjuar 4.286 numra telefonikë për të cilat aspak nuk është dhënë urdhër gjyqësor. Komunikimi ishte përgjuar para se të jepeshin dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë të vendimeve gjyqësore të 1.451 numrave ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Sasho Mijallkov dhe Goran Grujevski, së bashku me Gordana Jakulloskën dhe Nikolla Boshkovskin ngarkohen edhe për shkatërrim të sistemit për përgjim në MPB dhe pajisjeve intermediare të operatorëve në vlerë prej 1.418.879 eurove, ndërsa Valentina Simonovska për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...