Prokuroria: Sot nuk është marrë në pyetje shoferi i autobusit, po presim të shëndoshet

Maqedonia

Prokuroria: Sot nuk është marrë në pyetje shoferi i autobusit, po presim të shëndoshet

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 13:15
Foto Aksidenti

Sot nuk është marrë në pyetje shoferi i autobusit të aksidentit tragjik të 13 shkurtit ku humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Kështu thonë nga Prokuroria për Portalb.mk, duke shpjeguar që presin që të përmirësohet gjendja shëndetësore e shoferit.

“Deri në këtë moment ende nuk është marrë në pyetje shoferi, pasi që pritet që të përmirësohet gjendja shëndetësore e shoferit. Ekipet tona po vazhdojnë hetimet”, thotë për Portalb.mk, Elizabeta Nedanovska.

Në lidhje me spekulimet nëpër media rreth shpejtësisë së lëvizjes së autobusit dhe gjendjes teknike të tij gjatë kohës së aksidentit, Nedanovska thotë se “janë spekulime” dhe thotë se derisa të mbarojnë ekspertizat nuk munden të japin informacione rreth kësaj çështje. Nga Prokuroria thonë se sot nuk mund të priten informatat fillestare në lidhje me shkakun e aksidentit.

Ndryshe, autobusi i kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari, më 13.02.19 rreth orës 17 i vozitur nga M.T (49) ka humbur kontrollin dhe ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës Tetovë – Shkup, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në hendek në afërsi të fshatit Llaskarcë. Numri i viktimave ka arritur në 14, ndërsa 39 persona të tjerë janë shtruar nëpër spitale pas lëndimeve që kanë marrë nga aksidenti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat