Deri javën e ardhshme emri i kandidatit të mundshëm për president

Maqedonia

Deri javën e ardhshme emri i kandidatit të mundshëm për president

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 18:52
Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti janë dakord për kandidat të përbashkët presidencial, por për një gjë të tillë do të vendosin organet e partisë.

Kështu thanë pas takimi kreu i LSDM-së dhe ai i BDI-së, transmeton Alsat M.

Kryeministri Zaev tha se angazhohet që kandidati t’i përfaqësojë të gjitha bashkësitë etnike në vend.

“Analizat dhe anketat që i bëjmë të gjithë këtë periudhë, u morëm vesh që mes vete t’i ndajmë, për shkak se të gjitha subjektet politike bëjnë anketa dhe analiza. Këto analiza do t’i kemi si ndihmë të madhe për gjetjen e kandidatit pas të cilit do të qëndrojnë edhe maqedonasit edhe shqiptarët edhe bashkësitë me numër më të vogël në shtet, por edhe të gjitha kategoritë sociale të qytetarëve. Besoj edhe udhëheqësit e subjekteve politike”, tha ai.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti vlerësoi se kandidati konsensual është në të mirë të vendit.

“Sigurisht konsultat vazhdojnë dhe në të mirë të vendit është që ai kandidat i cili do të ketë përkrahjen e shumicës së palëve që dialogojnë të dalë nga ky vullnet”, tha ai.

Lidhur me gatishmërinë e kandidates së VMRO-DPMNE-së,  Gordana Siljanovska, që të jetë kandidate konsensuale edhe e LSDM-së, për Zoran Zaevin është e papranueshme.

“Menjëherë do të them. Nuk është e pranueshme. Ajo është jashtë çdo koncepti të mundshëm në të cilin është shumicë e madhe e qytetarëve. Nuk dha në asnjë segment një mbështetje në atë të cilën e gjithë Bota sot e mbështet dhe numër shumë i madh i qytetarëve e mbështesin”, tha Zaev.

Duke marrë parasysh afatet për dorëzimin e kandidaturave, Zaev tha se më së voni deri në fund të javës, partitë duhet të dalin me qëndrime nëse do të shkojnë me kandidat të përbashkët ose jo. Ndërsa deri në fillim të javës tjetër të dihet edhe emri eventual i kandidatit.

Kjo për shkak se më 3 mars LSDM ka edhe kongresin e partisë ku do të merret vendimi përfundimtar.

I pyetur se nëse eventualisht nuk gjendet kandidati konsensual, a do të kandidojë vetë, Zaev u përgjigj se si ekonomist është i fokusuar në zhvillimin e vendit. Edhe Ahmeti i rekomandoi që të mos kandidohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat