Qeveria e Maqedonisë Veriore miraton formimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare - Bota Sot
Qeveria e Maqedonisë Veriore miraton formimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare

Maqedonia

Qeveria e Maqedonisë Veriore miraton formimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 19:40
Ilustrim

Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim së shpejti do të ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, pasi Qeveria e këtij vendi miratoi propozim-ligjet për formimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, e cila do të zëvendësojë organin e deritanishëm famëkeq për ndjekjen e përgjimeve të jashtëligjshme dhe do të funksionojë si organ në vete.

Agim Nuhiu, zv.ministër i Brendshëm, tha se ndryshimet që janë paraparë në propozim-ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare kanë për qëllim që të shkëpusin Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim që deri tani funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme me qëllim që të bëjë dekoncentrimin e fuqisë së koncentruar institucionale në kuadër të MPB-së.

“Inspektorët e Agjencisë për Siguri Kombëtare nuk do të kenë autorizime policore por thjeshtë do të mbledhin informacione të karakterit informativ”, tha ai.

Organi i ri do të ketë po ashtu të drejtën e përgjimit edhe pa ndërmjetësimin e Agjencisë Teknike Operative, e cila muaj më parë u formua pikërisht për këtë qëllim.

“Agjencia nuk do të ketë të drejtën e përgjimit në kuptimin që ka Agjencia teknike operative sepse një gjë e tillë është rezervuar në mënyrë ligjore dhe institucionale për ATO-në. Agjencia për Siguri Kombëtare do të ketë të drejtën për të shfrytëzuar mjete teknike operative gjatë realizimit të aktiviteteve nga veprimtaria e përcaktuar me ligj. Bëhet fjalë për veprime operative aty për aty që duhet të zbatojë ASK-ja”, tha Nuhiu.

Drejtori i Agjencisë do të duhet të ketë të paktën 15 vjetër përvojë pune, prej të cilave të paktën pesë në pozita drejtuese, ndërsa zëvendësdrejtori i saj do të duhet të ketë të paktën 10 vjet përvojë pune, të paktën katër në pozita drejtuese.

Është paraparë edhe dispozitë e cila parashikon përfaqësim të drejtë etnik në të gjitha nivelet e hierarkisë.

Ndryshe, Agjencia për Siguri Kombëtare duhet të fillojë me punë në qershor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...