Heqja e imunitetit Veljanovskit. Veljanovski: Padrejtësisht dyshohem për terrorizëm

Maqedonia

Heqja e imunitetit Veljanovskit. Veljanovski: Padrejtësisht dyshohem për terrorizëm

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 17:51
Trajko Veljanovskit

Situatë e tensionuar ka mbretëruar në Komisionin parlamentar për çështje të mandatit dhe imunitetit me hapjen e debatit për marrjen e imunitetit deputetit, Trajko Veljanovskit. Ish kryeparlamentari tha se pa të drejtë po dyshohet për terrorizëm, lexoi akuzat ndaj tij dhe se prokuroria i ka bërë ekspertizë telefonit. Veljanovski tha se nuk ka vepruar në dëm të kolegëve të tij.

“Kam qenë 10 vite kryeparlamentar dhe as që më ka shkuar mendja që të bëj veprim në kundërshtim me rregulloren, ligjin dhe procedurat e kuvendit, e më së paku për kolegë deputetë. Unë ushtrova tre mandate kryetar kuvendi dhe t’u them sinqerisht, desha të ikja nga posti i kryetarit të kuvendit pa një ngjarje të tillë, në një formë më normale”,- deklaroi Trajko Veljanovski nga VMRO-DPMNE.

Deputeti i shumicës parlamentare, Goran Misevski, tha se Veljanovski është përgjegjësi i ngjarjeve të “27 prillit”. Ai nxori edhe gurin me të cilin ishte goditur, ndërkaq ftoi gjykatat për gjykim të drejtë. 

“Kjo peshon më shumë se 300 gram, ka fuqinë më të madhe se plumbi dhe ra para këmbëve të mia. A ia vlen çfarëdo procedure, apo shkelje të procedurës që dikush të organizojë tentim për vrasje të deputetëve? Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në gjyqësor, por ajo që mund të bëj si deputet është që të ftoj publikisht që Trajko Veljanovski dhe cilido tjetër, t’i sigurohet gjykim i drejtë”,- tha Goran Misevski nga PRSD.

Por, opozita thotë se rasti i Vlejanovskit është i porositur politikisht.

“Prokuroria punon me porosi politike dhe ky është rast i porositur politik, me qëllim që pushteti t’i fsheh dështimet e tij. Pushteti nuk ka formë tjetër si t’i fsheh dështimet, përpos se të krijojë tema më të mëdha të rëndësishme për mediat”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Prokuroria hedh dyshime ndaj ish kryeparlamentarin Veljanovski për organizim të ngjarjeve të “27 prillit”. Kërkohet t’i merret imuniteti, që të caktohet masa e paraburgimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat