Nepotizmi, Zaev: zero tolerancë nëse ka pasur ndikime; Arsovski: vazhdojnë punësimet nga LSDM-ja

Maqedonia

Nepotizmi, Zaev: zero tolerancë nëse ka pasur ndikime; Arsovski: vazhdojnë punësimet nga LSDM-ja

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 18:08
Zoran Zaev

Kryeministri, Zoran Zaev, ka reaguar kundër nepotizmit dhe është i prerë se nuk do të ketë tolerancë nëse Komisioni për anti-korrupsion vërteton se ndonjë zyrtar ka ndikuar në punësimin e ndonjë të afërmi të tij.

Pret që të gjithë punonjësit në institucionet shtetërore që janë në lidhje familjare me zyrtarët e shtetit, të dorëhiqen nga puna, duke respektuar kështu kodin etik.

“Nëse Anti-Korrupsioni ose ndonjë institucion tjetër tregon dhe vërteton se ka pasur përfshirje, shkelje të ligjit, konflikt interesi, unë do të kërkoj përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Kur flas, flas për të gjithë dhe e pres këtë nga të gjithë. E lë që secili të marrë vetë vendimin, ndjenjat dhe përgjegjësitë e veta, mbi të gjitha kodi etik është shumë i rëndësishëm”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Nga VMRO-DPMNE vazhdojnë të akuzojnë për avazin e punësimit të të afërmve të funksionarëve në pozita të mira institucionale. 

“Është punësuar vëllai i deputetes së LSDM-së, Tatjana  Prentoviq, në Operën dhe Baletin e Maqedonisë. E dyta, vëllai i deputetes së LSDM-së nga Makendoski Brod, Aneta Dimovska Simenska, nga stomatolog i ordinancës private është emëruar drejtor i shtëpisë së shëndetit në Makedonski Brod”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Derisa të rinjtë ikin nga vendi për shkak të papunësisë dhe shumica tjetër e rinisë është e mbetur pa punë, LSDM nepotizmin e ka shndërruar në epidemi për t’ju krijuar jetë të mirë vetëm familjarëve të tyre, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ditë më parë, ministri përgjegjës për administratën, Damjan Mançevski, njoftoi se procedurat për punësimin e të gjithë të afërmve të zyrtarëve do të hetohen në detaje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat