Asnjë institucion nuk e merr fajin për ngecjen e emrave të shkollave në Çair

Maqedonia

Asnjë institucion nuk e merr fajin për ngecjen e emrave të shkollave në Çair

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 18:10

Përgjegjësinë për mos-ndryshimin e emrave të shkollave në Komunën e Çairit, ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, ia ka hedhur Regjistrit Qendror. Ai tha se kërkesat e komunës dhe shkollës kanë marrë dritë jeshile edhe nga paraardhësit e tij por se procedura ka ngelur në Regjistrin Qendror. Por nga Regjistri Qendror hedhin poshtë këto deklarata.

“Jam i njoftuar deri në detaje, bëhet fjalë për procedurë e cila është zhvilluar disa vite më parë dhe ajo procedurë ka kaluar edhe filtrin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe për momentin ka kohë që ajo procedurë ndodhet para Regjistrit Qendror të Republikës së Maqedonisë. Nuk varet prej MASH, kjo. Mirëpo ne do të afrohemi për të koordinuar dhe menaxhuar edhe çështje të këtilla, edhe pse po e theksoj edhe një herë, lënda nuk ndodhet në MASH për arsye se ministrat paraprak, paraardhësit e mi, me kohë kanë dhënë përgjigje pozitive dhe lëndën e kanë përcjellë deri tek Regjistri Qendror”, deklaroi Arbër Ademi, Ministër i Arsimit.

Për dallim nga deklarata e ministrit, nga Regjistri Qendror, thonë se deri në këtë moment, në këtë institucion nuk ka arritur kërkesë për ndryshimin e emrave të shkollave të lartpërmendura.

“Ju njoftojmë se deri në këtë moment deri tek Regjistri Qendror nuk ka arritur ndonjë paralajmërim për regjistrim dhe ndryshim të emrave të shkollave fillore nga Komuna e Çairit. Përderisa pranojmë kërkesa për regjistrim, ndryshim, të njëjtën do ta kontrollojë me kohë dhe në përputhshmëri me ligjin”, thonë nga Regjistri Qendror.

Për problematikën e njëjtë, Tv21 ka raportuar dy javë më herët. Në kronikën paraprake, zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla tha se këshillat e shkollave “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”, kanë realizuar të gjithë procedurën e paraparë në ligjin për arsim fillor.

Ndryshe, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tha se dikasteri i tij ka filluar një proces të realizimit të kërkesave nga ana e vetë komunave dhe shkollave. Sipas ministrit rezultatet e para MASH i ka shënuar me ndryshimin e dy emrave të shkollave në Dibër ku këto kërkesa janë dorëzuar në vitin 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat