Paqartësi për rritjen e pagës minimale

Maqedonia

Paqartësi për rritjen e pagës minimale

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 16:28
Paga

Qeveria në pranverë do t’i njoftojë biznesmenët për sa dhe kur do të rritet paga minimale. Rreth dy muaj më parë, kryeministri Zaev deklaroi se për këtë vit parashihet rritja e dytë, pa saktësuar sa do të jetë. Tani shprehet se po vazhdojnë konsultimet me komunitetin e biznesit dhe bëhen analiza në Ministrinë e punës dhe mbrojtjes sociale dhe Dikasterin e financave. Shton se kur do të kenë shifra konkret, do t’i publikojnë.

"Pas të gjitha konsultimeve që Ministria e punës dhe ajo e Financave do t’i bëjnë me Shoqatat e punëdhënësve, me klasterët sidomos industrinë e tekstilit dhe lëkurës, pasi këtu është impakti më i madh, do të njoftojmë sa do të jetë rritja e pagave", deklaroi Zoran Zaev.

Por, edhe krahas paralajmërimeve të këtilla, biznesmenët thonë se ende nuk janë ulur në tryezë me Qeverinë për ta thënë edhe qëndrimin e tyre. Nga Organizata e punëdhënësve për Alsat komentojnë se për momentin për rritje të pagës minimale kanë dëgjuar vetëm nga mediat. Shpresojnë që në periudhën e ardhshme të thirren për konsultime.

Nga Ministria e Financave për Alsat thonë:

“Për momentin po bëhen analiza. Kur të përkufizohen gjërat, do të njoftohet opinioni”.

Nga ana tjetër, investitorët e huaj që operojnë në vend thonë se për rritjen e re të pagës minimale duhet të njoftohen të paktën 1 vit më herët. Në anketën e Odës ekonomike gjermane, investitorët alarmojnë se rritja e re e kësaj page do t’i zmbraps investitorët nga Maqedonia.

"Në fillim të vitit u votua Ligji për rritjen e tatimit të të ardhurave nga 10% në 18%, për ata që marrin pagë më shumë se 900 euro neto. Nëse miratohet edhe Ligji për rritjen e pagës minimale, sërish kompanitë do të ballafaqohen me harxhime shtesë, që nuk janë të planifikuara në kohë nëpër buxhetet e tyre", thonë nga Oda Ekonomike Gjermane.

Ekspertët thonë se paga minimale deri në fund të vitit mund të rritet vetëm deri në 13.000 denarë. Mbi këtë kufi, mund t’i shkaktojë probleme biznesit. Sipas analizave të Ministrisë së punës dhe politikës sociale, ka gjasa që paga minimale deri në fund të vitit 2019-të të rritet për 1000 denarë, por me kusht nëse ekonomia shënon rritje. Qeveria para një viti e gjysmë konfirmoi pagën minimale prej 12 mijë denarë, që shkaktoi reagime negative tek komuniteti i biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat