Zaev: Gjatë regjistrimit të popullsisë do të ketë grafë për përkatësinë etnike

Maqedonia

Zaev: Gjatë regjistrimit të popullsisë do të ketë grafë për përkatësinë etnike

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 17:08
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev sot ka konfirmuar se në regjistrimin e popullsisë që duhet të zbatohet në vitin e ardhshëm do të ketë edhe kolonë për përkatësi etnike, edhe pse paraprakisht u paralajmërua se gjatë regjistrimit qytetarët do të munden të deklarohen vetëm në lidhje me atë se çfarë gjuhe flasin, njofton Portalb.mk.

“U pajtuam që të ketë kolonë për përkatësi etnike pasi që ajo është shumë me rëndësi për komunitetet pakicë. Për shembull komuniteti rom shumë pak ose shumë rrallë e përdor gjuhën amtare dhe nëse vetëm gjuha do të jetë në pjesën e kolonës atëherë mund të vihet në pikëpyetje numri i vërtetë i atij komuniteti”, tha Zaev.

Për këtë aspekt, theksoi kryeministri, si përfaqësues solidar të komuniteteve më të mëdha etnike kemi sjellë vendim që të ndërtojmë qëndrim të përbashkët dhe t’i inkurajojmë EUROSTATIN dhe Entin Shtetëror për Statistika që të ketë kolonë për përkatësinë etnike.

Ndryshe, sipas propozim ligjit të ri, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave duhet të bëhet prej 1 deri më 21 prill të vitit 2020.

Kontestuese në këtë propozim-ligj shihet të jetë mënjanimi i grafës etnike, gjegjësisht gjatë regjistrimit nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e qytetarëve. Shumica e partive kanë deklaruar se janë kundër këtij propozimi, përveç BDI-së, që thotë se nuk ka ndonjë shqetësim por të bëhet ligj i pranuar për të gjitha palët dhe LSDM-së që është “për” këtë propozim.

Por, sipas profesorëve universitarë, nëse gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe amendamenti VI i Kushtetutës së Maqedonisë, i cili thërret në përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve të cilët u takojnë bashkësive të ndryshme etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat