Kërkesat e ASH-së për Çarshinë, Komuna e Çairit: Të pabaza dhe dezinformuese

Maqedonia

Kërkesat e ASH-së për Çarshinë, Komuna e Çairit: Të pabaza dhe dezinformuese

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 16:41
Komuna e Çairit

Komuna e Çairit do të vazhdojë të kujdeset për mirëmbajtjen e Sheshit dhe Çarshisë së Vjetër përmes përkrahjes së profesionit të zejtarëve, mirëmbajtjes së ndriçimit, rifunksionalizimin e shtyllave hidraulike dhe gjithçka që do të ruajë autenticitetin infrastrukturor të saj në suaza të kompetencave të përcaktuara ligjore.

Me këto fjalë, Komuna e Çairit i vlerëson si të pabaza dhe dezinformuese për opinionin akuzat e sotme të Aleancës për Shqiptarët në lidhje me Çarshinë e Shkupit.

“Mesa duke subjekti në fjalë nuk e njeh ose shtirret se nuk e njeh rregullativën ligjore të paraparë në nenet 57 dhe 58 të Ligjit për Ndërtim sipas së cilave lejen e ndërtimit për objektet e Çarshisë së Vjetër që cilësohen si objekte të kategorisë së parë, e jep organi i administratës shtetërore për rregullimin e hapësirës, respektivisht Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Është e çuditshme të mos jesh në njohuri të dispozitave të këtilla kur një periudhë zëvendësministri i këtij institucioni i ka takuar pikërisht subjektit Aleanca për Shqiptarët?!”, thonë për Portalb.mk nga Komuna e Çairit.

Nga ana tjetër, ata shtojnë se “të hedhësh baltë mbi vlerën estetike të Sheshit Skënderbeu që me mozaikun e saj përshkruan etapat më të rëndësishme historike kombëtare, do të thotë të fyesh vlerat e kombit që përfaqëson”.

“Sheshi Skënderbeu sot gravitohet nga një numër i madh i qytetarëve dhe reflektimet pozitive për arkitekturën e saj me pamja kah Kalaja e Vjetër e Shkupit pasqyrohen përmes mjaft fotografive të publikuara”, shtojnë nga Komuna e Çairit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat