Dimitrov – Cakaj: Shkupi dhe Tirana janë partnerë strategjik dhe aleatë në NATO dhe BE

Maqedonia

Dimitrov – Cakaj: Shkupi dhe Tirana janë partnerë strategjik dhe aleatë në NATO dhe BE

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 13:04
Cakaj - Dimitrov

Shqipëria ishte vendi i tretë në NATO që e ka nënshkruar Protokollin për hyrje të Republikës së Maqedonisë së veriut në Aleancë, ndërkaq të dy vendet do të këmbejnë edhe përvoja në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë e tha ushtruesi i detyrës ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në konferencën e sotme me kolegun e tij nikoqir, shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm vend fqinj si rastësi e rrethanave gjeografike, por edhe mik dhe partner strategjik me të cilën marrëdhëniet i ndërtojmë nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit efektiv. Hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rruga e përbashkët drejt BE-së është vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit dhe veçmas për kujdesin e paqes dhe stabilitetit”, tha Cakaj.

Ministri Dimitrov nga ana e tij e falënderoi Shqipërinë për ratifikimin e Protokollin për hyrje në NATO. Ai u ndal në vizionet e përbashkëta evropiane të dy vendeve.

‘Suksesi i një shteti nga rajoni është sukses për tërë rajonin. Shumë do të kisha pasur dëshirë që të kemi rast për festim të përbashkët”, tha Dimitrov.

Të dy vendet presin që në qershor në Samitin e BE-së të konfirmohet vendimi për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Në takim është folur, mes tjerash, edhe për Korridorin 8 dhe për mundësinë që sa më shpejtë të nënshkruhet iniciativa për vendosjen e qendrave kulturore të dy vendeve, por edhe për rëndësinë e komunitetit shqiptar në vendin tonë dhe për komunitetin maqedonas në Shqipëri, të cilët janë urë për bashkëpunim. Është diskutuar edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhës, i cili është përshëndetur nga pala e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat