Xhaferi-Cakaj: Maqedonia e Veriut, mik edhe partner strategjik

Maqedonia

Xhaferi-Cakaj: Maqedonia e Veriut, mik edhe partner strategjik

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 15:22
Xhaferi - Cakaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Në takim, të dy bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur për ratifikimin e Protokollit aderues për NATO në Parlamentin e Shqipërisë. Është theksuar bashkëpunimi i shkëlqyeshëm ndërmjet Tiranës dhe Shkupit në vitet e kaluara, si dhe angazhimet e Shqipërisë për mbështetjen e vendit tonë në rrugën evropiane.

Kryetari Talat Xhaferi theksoi se, Republika e Maqedonisë së Veriut është në rrugë të sigurt drejt NATO-s, ndërsa vendi punon me përkushtim në përmbushjen e reformave dhe detyrave të domosdoshme për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në.

„Jemi të vetëdijshëm se ky nuk është proces i lehtë, por me të gjitha forcat dhe kapacitetet Kuvendi dhe Qeveria punojnë në arritjen e qëllimit të dëshiruar“, tha Kryetari Xhaferi.

Ai e theksoi domosdoshmërinë nga bashkëpunimi në të gjithë faktorët politikë për shkak të përmbushjes së obligimeve për të mirën e qytetarëve dhe të vendit. Kryetari e vuri theksin në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja vendeve.

Zëvendësministri Cakaj uroi për hapat e guximshëm politikë për zhbllokimin e procesit të integrimeve euroatlantike. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm vend fqinj si rezultat i rrethanave të rastësishme gjeografike, por edhe mik edhe partner strategjik me të cilin marrëdhëniet i ndërtojmë përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit efektiv. Aderimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rruga e përbashkët drejt BE-së është vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit dhe veçanërisht për kultivimin e paqes dhe stabilitetit, tha Cakaj.

Të dyja vendet presin në qershor në Samitin e BE-së të konfirmohet vendimi për fillimin e negociatave me BE-në.

Në takim u bë fjalë, mes tjerash edhe për Korridosin 8 dhe për mundësinë për nënshkrimin sa më të shpejtë të iniciativës për vendosjen e qendrave kulturore në të dyja vendet, si dhe për kandidaturën e Republikës së Shqipërisë për anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurisë për periudhën 2022-2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat