Zaev – Dançilla: Rumania i ka filluar procedurat për ratifikimin e Protokollit hyrjen tonë në NATO

Maqedonia

Zaev – Dançilla: Rumania i ka filluar procedurat për ratifikimin e Protokollit hyrjen tonë në NATO

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 14:02
Zaev – Dançilla

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nisi vizitën zyrtare në Rumani në takim me Kryeministren Rumune, Viorika Dançilla. Kryeministrja Dançilla theksoi se në Rumani kanë filluar procedurat për ratifikimin e Protokollit për aderimin e shtetit tonë në NATO që është votuar në Klubin e Deputetëve.

Në deklaratën për mediat, ajo theksoi se pret përfundim të shpejtë të këtij procesi dhe se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s.

Kryeministrja e Rumanisë Dançilla e riafirmoi pozitën për vazhdimin e zgjerimit të BE-së, në bazë të meritave individuale të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo, deklaroi se pret që në muajin qershor do të vërtetohen politikat e zgjerimit të BE-së dhe inkurajoi që vendi ynë të vazhdojë me përmbushjen e argumenteve reformuese.

Kryeministrja Dançilla publikisht uroi kryeministrin Zaev për kontributin e tij të guximshëm dhe energjinë në proceset e rëndësishme të shtetit tonë, që konsideron se është inspirim për tërë rajonin.

Në deklaratën për media, Kryeministri Zaev theksoi se i përcjell përshëndetjet e sinqerta të qytetarëve të vendit tonë dhe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në emrin tim dhe të qytetarëve u falënderoj për ratifikimin e djeshëm të Protokollit për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO në Klubin e deputetëve të Parlamentit rumun dhe për tërë mbështetjen e juaj në procesin e NATO integrimeve të shtetit tonë. Kënaqësi e veçantë është që jemi në vizitë zyrtare në Bukuresht dhe që vizita përputhet me një fazë të rëndësishme të ratifikimit të Protokollit për aderim të Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e mikes tonë Republika e Rumanisë. Para 11 viteve, pikërisht këtu në Bukuresht u lëshua mundësia historike për aderim të vendit tonë në Aleancë. Sot në themelet e së kaluarës ndërtuam ardhmëri. Maqedonia e Veriut është në rrugën atlantike. Miq, u falënderojmë”, porositi Kryeministri Zaev.

Përveç integrimeve në NATO, kryeministri Zaev u falënderua edhe për mbështetjen në rrugën evropiane të Republikës të Maqedonisë së Veriut.

Ai shtoi se “BE dhe NATO, për Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe për rajonin, por edhe për Evropën janë të domosdoshme. Kanë domethënien e stabilitetit, sigurisë, ekonomisë dhe progresit. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Evropën ku gjeografikisht bëjmë pjesë, por edhe për botën të cilës e gjithë kjo i nevojitet dhe i është e domosdoshme që të mund të zhvillohet”.

Ai shtoi se është e rëndësishme që me kryeministren Dançilla u arrit pajtueshmëri për përparimin e gjendjes ekonomike dhe mundësinë për mbajtjen e biznes forumit.

Në takim u bisedua edhe për nismat më konkrete në bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e energjetikës dhe mbrojtjes.

Takimi në nivel të delegacioneve u realizua në nivel të lartë qeveritar. Nga ana e Rumanisë, përveç Kryeministres ishin të pranishëm edhe ministrat për Punë të Jashtme, për Mbrojtje, për Diasporën. Kryeministri Zaev është i shoqëruar nga Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe Zëvendësministri për Punë të Jashtme, Andrej Zhernovski.

Pasdite janë paraparë takime të kryeministrit Zaev dhe delegacionit me Kryetarin e Klubit të deputetëve, Liviu Dragnea, si dhe me Zëvendëskryetarin e Senatit të Rumanisë, Julian Klaudiu Manda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat