Maqedonia e Veriut në pritje të emrave të garuesve për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit

Maqedonia

Maqedonia e Veriut në pritje të emrave të garuesve për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 23:19
Shkup

Ndërkohë që partitë e koalicionit qeveritar, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim pritet të premten ta bëjnë të ditur emrin e kandidatit të tyre të përbshkët për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, profesori Blerim Reka ka njoftuar se do të hyjë në garë si kandidat i pavarur. Pak orë pasi zoti Reka e bëri njoftimin përmes rrjetit social Fejsbuk, dy partitë shqiptare të opozitës, Aleaca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thanë se do ta mbështesin atë.

Ish-diplomati Reka dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës thekson dy arësye që e shtyjnë të futet në garë:

“E para: vetëm me kandidatët maqedonas, pa asnjë shqiptar, kjo shoqëri shumetnike, rrezikon të rrëshqasë drejt shtetit monoetnik; ndërsa shqiptarët vetëm votues, por jo edhe te votuar. E dyta: vetëm kritikat intelektuale - pa i hyrë përballjes politike - nuk mjaftojnë për ndryshimin e gjendjes. Ato, në FB mbeten virtuale, ndërkaq jeta është megjithatë reale”, shkruan zoti Reka në Fejsbuk.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa përmes një komunikate të përbashkët theksojnë vlrerësimin se zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, “sepse ndryshe shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet”. “Për arësye parimore e përkrahim kandidaturën për President të profesor Rekës. Përvoja e tij e pasur akademike dhe diplomatike vetëm do ta fuqizonte funksionin e Presidentit të shtetit”, thuhet në komunikatën e dy partive opozitare shqiptare.

Nga ana tjetër, partitë e pushtetit, sipas pritjeve, do të vendosin për një nga eksponentët qeveritarë: Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme, Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme, Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes dhe Stevo Pendarovski, bashkërendues kombëtar për në NATO, si kandidat i përbashkët apo konensual siç ka parapëlqyer ta quajë partia shqiptare, BDI.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja tashmë ka zgjedhur kandidatin e vetë për garën e pritshme presidenciale. Ajo është profesorja Gordana Siljanovska Davkova. Zonja Siljanovska Davkova ka qenë ministre në vitet ’90 në qeverinë e socialdemokratëve të Branko Cërvenkovskit. Kohët e fundit, ajo është vënë në spikamë me shkrimet dhe paraqitjet e saj kundër politikave qeveritare, kundër shtrirjes së përdorimit të gjuhës shqipe dhe kundër Marrëveshjes së Prespës e ndryshimit të emrit të vendit në Maqedonia e Veriut.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 21 prill dhe balotazhi më 5 maj. Realisht, një garues shqiptar nuk kalon në balotazh; të paktën deri tash nuk ka ndodhur. Ndërkohë, janë votat e shqiptarëve të cilat vendosin në balotazh se kush do të jetë president i Maqedonisë së Veriut. Që zgjedhjet të jenë të vlefshme, në balotazh duhet të dalin 40 përqind të votuesve, në të kundërtën kryetari i Parlamentit, në këtë rast Talat Xhaferi i merr detyrat e presidentit të paktën për gjashtë muaj deri sa të shpallen zgjedhjet e reja, plus dhe tre muaj të tjerë deri në ditën e zgjedhjeve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat