LSDM dhe BDI në mbrëmje pritet të zbulojnë emrin e kandidatit për president

Maqedonia

LSDM dhe BDI në mbrëmje pritet të zbulojnë emrin e kandidatit për president

Më: 1 mars 2019 Në ora: 16:29
Zaev dhe Ahmeti

10 emra do të shqyrtohen si kandidat të mundshëm konsensual në koalicionit qeveritarPartitë e koalicionit qeveritar, të premten, pritet të publikojnë emrin e kandidatit të përbashkët për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet e parapara më 21 prill.

Dy partitë kryesore, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të mërkurën njoftuan marrëveshjen për dalje në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, por pa saktësuar emra konkretë.

Megjithatë, në opinion tashmë disa ditë, si kandidat më serioz për t’u nominuar për kreun e shtetit përfliten emrat e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministres së Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dhe të koordinatorit nacional për NATO-n, Stevo Pendarovski.

Ideja për kandidat konsensual fillimisht ishte paraqitur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) por bazuar në prononcimet e fundit është lakuar në kandidat të përbashkët apo të dakordësuar, që, sipas analistëve, nënkupton ndryshim të qëndrimit në drejtim të marrëveshjes apo pazareve të partive për qëllime të ndryshme.

“Insistimi për kandidat konsensual mendoj se është në kundërshtim me idenë dhe konceptin 'një shoqëri për të gjithë' e lëre më që kjo të bëhet si standard për të ardhmen. Në një koncept të ri qytetar drejt të cilit synon të ecë Maqedonia, veçanërisht pas mbylljes së Marrëveshjes së Ohrit, ligjit për gjuhët, po humb kuptimi i ekzistimit të partive të profilizuar në baza etnike”, thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci.

Ai thotë se ideja e kandidatit konsensual më tepër ka të bëjë me mosdështimin e procesit zgjedhor, pasi nëse partitë dalin me kandidatët e tyre, ka gjasa që në rrethin e dytë të mos arrihet pragu prej 40 për qind të daljes në votime.

Nga ana tjetër, opozita shqiptare në zgjedhje do të garojë me Blerim Rekën, profesor universitar dhe ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, me mbështetjen e kandidaturës së profesorit Reka, përfundimisht kanë refuzuar kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev që edhe këto dy parti ta mbështesin kandidatin e përbashkët të partive në pushtet.

“Kandidatura e Blerim Rekës është serioze për president të Maqedonisë së Veriut. Do të jetë ai i cili denjësisht do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e vendit. Prandaj them që Blerim Reka e pasuron garën, ka çfarë i jep garës, ka çfarë i shton debatit për president dhe zgjedhjeve presidenciale".

"Do të ishte zgjidhje e mirë për vetë faktin se kjo do të ishte forma më e mirë e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve nga një kandidat, i cili e dinë se nga duhet të lëvizë dhe cilat duhet të jetë rruga që duhet të ndjek Republika e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhjet presidenciale do të garojë me profesoren Gordana Siljanovska, e cila tani edhe ka filluar fushatën edhe pse zyrtarisht ajo nis në fillim të muajit prill dhe zgjat 20 ditë.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën e votave më 21 prill, atëherë shkohet në rrethin e dytë që do të mbahet më 5 maj.

Që zgjedhjet të jenë të vlefshme, duhet të dalin në votime më shumë se 40 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat