Ahmeti në Tiranë: Nga diaspora kanë nisur momentet më të rëndësishme historike

Maqedonia

Ahmeti në Tiranë: Nga diaspora kanë nisur momentet më të rëndësishme historike

Më: 1 mars 2019 Në ora: 16:49
Ali Ahmeti

Në Tiranë ka filluar sot Samiti i dytë i Diasporës ku merrnin pjesë personalitete të larta të politikës dhe botës shqiptare në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.

Në samitin i cili është organizuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ishte i pranishëm edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i cili bëri thirrje për mobilizim të mërgatës shqiptare kudo për të zbarkuar në atdheun e tyre.

“Tani patriotizmi më i madh i yni, i shqiptarëve është të zbarkojmë me njerëz të mençur, inxhinierë, ekonomistë, doktorë, specialistë të të gjitha fushave. Për këtë ka nevojë më së shumti sot atdheu ynë”, tha Ahmeti në Samitin e 2-të të Diasporës në Tiranë duke shtuar se ky Samit duhet të ngelë diçka në kujtesën tonë për t’i shërbyer vendit dhe së ardhmes.

“Momentet më të rëndësishme historike të vendit tonë, rrjedhat i kanë pasur nga mërgata. Gjergj Kastrioti Skëndërbeu u organizua dhe u mobilizua në mërgatë dhe më pas zbarkoi këtu tek vendi ku u përkund. Rilindja Kombëtare Shqiptare veproi në Perëndim dhe në Lindje, por të tëra energjitë i vuri në shërbim të vendit, në shërbim të atdheut. Pavarësia e Shqipërisë në 1912 me Ismail Qemalin dhe tërë ato njerëz që ishin vënë në shërbim të rritjes dhe ndërgjegjësimit të kombit u organizuan dhe mobilizuan nga mërgata. E fundit, Ushtria Çlirimtare u financua, u ushqye, u mobilizua pikërisht nga mërgata”, tha Ahmeti.

Kingsley Aikins, profesor dhe studiues irlandez, në hapje të samitit tha se është kënaqësi të marrë pjesë në këtë samit, duke e cilësuar atë një gjë shumë të madhe por të ardhmen e Shqipërisë.

“Mbi 110 vende në mbarë botën po zhvillojnë strategji për diasporën dhe tashmë dhe Shqipëria po e bën këtë”, tha ai.

Marie Van De Zyl nga Britania e Madhe, drejtuese e WJC, tha se ndodhet në këtë samit për të dhënë përvojën hebreje të diasporës. “Diaspora i bashkon njerëzit për të sjellë përfitime”, tha ajo. Më tej, ajo vlerësoi faktin se Shqipëria ka një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e popullit hebre.

Të pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe personalitete të tjera.

Liza Gashi nga Kosova përfaqësuese e organizatës “GERMIN”, u shpreh se është e rëndësishme për të kuptuar se bashkë mund të bëjmë shumë.

“Ne na bashkon vendi, gjuha shqipe dhe është me rëndësi të mësohet jashtë vendit për të mbajtur gjallë lidhjen. Duhet filluar të organizohemi për kërkesat tona në Diasporë. Ne duhet të të nisim dialogun dhe bashkëbisedimin me diasporat dhe të kemi një mekanizëm të komunikimit”, tha ajo.

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në SHBA, Mark Gjonaj në fjalën e tij përshëndetëse tha kurrë ne nuk kemi harruar shtëpinë tonë dhe detyrimin që i kemi Shqipërisë.

“Thesari më i madh i Shqipërisë janë shqiptarët. Ne duhet të bëjmë një plan veprimi për agjendën tonë kombëtare për të ardhmen tonë. Që një agjendë e tillë të jetë e suksesshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë ngushte për suksesin e agjendës”, tha ai.

Qëllimi i samitit është bashkëpunimi i diasporës në mbarë botën shqiptare për më shumë zhvillim ekonomik, kulturor në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat