Pendarovski dhe Siljanovska nisin garën presidenciale

Maqedonia

Pendarovski dhe Siljanovska nisin garën presidenciale

Më: 4 mars 2019 Në ora: 10:15
Pendarovski dhe Siljanovska

Koordinatori aktual nacional për përgatitje të anëtarësimit në NATO dhe profesor universitar Stevo Pendarovski edhe zyrtarisht hyn në garë për president të shtetit në zgjedhjet e gjashta më 21 prill bashkë me profesoreshën për të Drejtën kushtetuese Gordana Siljanovska- Davkova e cila mori përkrahjen e partisë opozitare VMRO-DPMNE.

Zgjedhja e Pendarovski për kandidat të përbashkët të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe koalicionit të udhëhequr nga LSDM, BDI, PDSH dhe Alternativa e Afrim Gashit dje edhe zyrtarisht është konfirmuar në Kongresin e LSDM-së në Shkup ku njëzëri ka marrë përkrahjen e 712 delegatëve, nga 783 të pranishëm, pa asnjë kundër dhe të përmbajtur.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin në Kongres tha se Maqedonisë së Veriut i nevojitet president i cili me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, në mënyrë dinamike dhe me përkushtim do të ofrojë zgjidhje dhe do të përfshihet në përkrahjen e rrugës sonë të shpejtë, e cila vendin e çon përpara drejt ardhmërisë së sigurt në NATO dhe BE, president i cili është kundërshtar i ndarjeve dhe izolimeve dhe i cili e promovon Maqedoninë e Veriut si vend global dhe të drejtë, do të jetë partner konstruktiv dhe parimor në proceset e filluara reformuese, integruese dhe ekonomike.

“Stevo është koncept i një shoqërie për të gjithë në Republikën e Maqedonisë së Veriut përparimtare dhe euroatlantike. E di se si president i të gjithë qytetarëve të vendit tonë, fuqinë e tij do ta tërheq edhe nga të gjithë qytetarët tanë, e jo vetëm prej atyre të cilët do ta japin votën e tyre për fitoren e tij. Fitorja e Stevo Pendarovskit në zgjedhjet e  ardhshme do të jetë edhe një fitore e jona në rrugën tonë të përbashkët. Bëhuni të bindur se bashkërisht të gjithë ne, qytetarët e vendit tonë së bashku me Stevo Pendarovskin si president i yni, do t’i realizojmë të gjitha qëllimet tona të përbashkëta. Mbetemi bashkë në përcaktimin që ta hedhim poshtë politikën e pesimizmit, e cila thotë se asgjë nuk mund të bëhet. Mbetemi në përcaktimin që ta hedhim gjuhën e urrejtjes. Mbetemi në përcaktimin që të ndërtojmë shoqëri inkluzive dhe ardhmëri më të mirë për të gjithë. Kjo është zgjedhja dhe përgjegjësia e jonë politike. Kjo është zgjedhje për fitore, fitore në zgjedhjet presidenciale të cilat duhet të jenë dhe do të jenë tërësisht demokratike, të suksesshme dhe efikase, zgjedhje në të cilat qytetarët masovikisht do të dalin dhe do të zgjedhin unitet dhe ardhmëri”, tha Zaev.

Stevo Pendarovski nga ana tjetër, falënderoi për përkrahjen dhe siç publikoi dje në profilin e tij në Fejsbuk, tha se është nder që e ka përkrahjen e 31 partive politike dhe nga qytetarët e të gjitha bashkësive etnike. Falënderim të posaçëm dërgoi deri te lideri i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev, i cili, siç tha, ka bërë precedent politik dhe i dha mundësi që sërish të jetë kandidat për president pas pesë viteve, prej vitit 2014, kur, siç tha, të gjithë ishim lëndë e inxhinieringut brutal politik.
Ai i përmendi edhe favoritët e tjerë të LSDM-së, Spasovski, Dimitrov dhe Shekerinska, të cilët, tha se janë miq të tij të afërt dhe bashkëluftëtarë për kauzën e njëjtë. Për pushtetin aktual tha se ka bërë çudira me dy punë – rrëzimin e regjimit dhe Marrëveshjen me Greqinë, duke shtuar se vetëm ato dy punë janë mjaftë që të mbahen mend në histori.
“Më dhatë përgjegjësi të madhe politike, e cila në muajt dhe vitet që janë para nesh kam ndërmend ta arsyetojë në tërësi, në interes të jetës më të mirë dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”, tha Pendarovski, duke shtuar se dita e sotme është ditë posaçërisht emotive për të.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski tha se Maqedonia është në udhëkryq të madh dhe besoj fuqishëm se do të zgjidhet rruga e vërtetë.

“Maqedonisë i duhet presidente. Erdhi koha kur një profesoreshë e fortë si profesoresha Siljanovska do ta mbrojë drejtësinë dhe interesat shtetërore. Presidentja do ta vë ligjin dhe drejtësinë, që do të luftojë për ligje sipas Kushtetutës, që do të ndërtojë diplomaci të bazuar në kompetenca. Kryetarja do të jetë ekuilibër mes pushteteve, do të luftojë për çështjet ekologjike. Do të punojë për të shfuqizuar privilegjet e pushtetit, presidente që do të jetë zëri juaj në politikë”, tha Mickoski.

Kandidati për president Gordana Siljanovska tha se Marrëveshja e Prespës është e dëmshme për shtetin dhe se identiteti maqedonase nuk duhet të rrezikohet, pasi siç tha, “ne jemi popull maqedonas dhe ky është fakt, që askush nuk mund ta kontestojë”.

Dje edhe Këshilli qendror i BDI-së e konfirmoi zgjedhjen e Pendarovskit për kandidat të përbashkët presidencial. Vendimi ka kaluar edhe në Kuvendin qendror të Partisë demokratike turke të Maqedonisë.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat