Edhe dy ditë mundësi për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për kryetar shteti

Maqedonia

Edhe dy ditë mundësi për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për kryetar shteti

Më: 7 mars 2019 Në ora: 09:12
Zgjedhjet Presidenciale

Kandidatët për president të shtetit kanë edhe dy ditë mundësi për mbledhjen e nënshkrimeve. Tani për tani kandidatë të sigurt në garën presidenciale janë Gordana Siljanovska- Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka.

Kandidati i përbashkët i 31 partive politike nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe BDI, Stevo Pendarovski ka marrë përkrahjen e mbi 60 deputetëve në Kuvend. Shefi i shtabit zgjedhor të LSDM-së Aleksandar Kiracovski theksoi se, përkundër asaj që me nënshkrimin e përkrahjes së deputetëve është përmbushur kushti ligjor për kandidaturën e Pendarovsit, “përkrahje mund t’i japin edhe qytetarët duke vendosur nënshkrimin e tyre personal në njësitë rajonale të KSHZ-së në vend”.

LSDM-ja në kongresin e mbajtur të dielën e konfirmoi përzgjedhjen e Stevo Pendarovskit si kandidat presidencial. Prej 783 delegatëve të pranishëm, 712 ishin unanimë dhe votuan për Stevo Pendarovskin.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska nënshkrimet e nevojshme i ka mbledhur për vetëm një ditë. Rreth 16 mijë qytetarë janë nënshkruar për të në zyrat e KSHZ-së në vend.

Edhe pse profesoresha e mori besimin nga shumica e delegatëve të VMRO-DPMNE-së për kandidat të tyre, ajo kërkoi mbështetje edhe nga qytetarët për siç tha, “të tregojë se është kandidate mbipartiake”.

Nënshkrime për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale i ka mbledhur edhe Blerim Reka, të cilin e mbështesin Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Ai dje në konferencë ka premtuar fushatë ndryshe nga kandidatë tjerë dhe u shpreh i bindur se me ndihmën e qytetarëve do të arrijë të fitojë më 21 prill.

Nga KSHZ thonë se për zgjedhjet e gjashta parlamentare për momentin nënshkrime mbledhin shtatë kandidatë.

Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar më 23 shkurt, ndërsa do të përfundojë më 9 mars. Dorëzimi i kandidaturave përfundon më 21 mars.

Rrethi i parë zgjedhor është caktuar më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat