Shekerinska-Shanahan: Është konfirmuar partneriteti strategjik i SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Shekerinska-Shanahan: Është konfirmuar partneriteti strategjik i SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut

Më: 7 mars 2019 Në ora: 11:19
Shekerinska - Shanahan

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në Pentagon pati takim me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Patrik Shanahan, ku u konfirmua partneriteti strategjik i SHBA-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shekerinska dhe Shanahan u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ngritjen e tij në nivel më të lartë siç i ngjan aleatëve të NATO-s, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.

“Vazhdojmë së bashku, me pjesëmarrje të përbashkët në misionet paqësore dhe me bashkëpunim akoma më të afërt në proceset reformuese dhe në modernizimin e Armatës”, u konkludua në takim.

Njeriu i parë i Mbrojtjes së SHBA-së uroi për zgjidhjen e suksesshme të kontestit me Greqinë dhe potencoi se kjo paraqet model për zgjidhje të kontesteve mes dy shteteve, të cilat gjatë kohë janë dukur të pazgjidhshme.

Ky është takimi i tretë bilateral i ministres Shekerinska me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, për më pak se një vit. Pranverën e kaluar ministrja ishte për vizitë zyrtare tek kolegu i saj amerikan, Xhejms Matis, i cili ia ktheu vizitën dhe vizitoi Shkupin në shtator të vitit të kaluar. Me trashëguesin e tij, Shanahan, ministrja Shekerinska u takua edhe në Bruksel, në takimin e Këshillit veriatlantik, ku ai e përshëndeti nënshkrimin e Protokollit për anëtarësim të vendit tonë në NATO dhe i shprehi mirënjohje ministres për, siç tha, “lidershipin e saj inspirues”, ceket në kumtesën e MM-së.

Në Uashington, ministrja Shekerinska pati takime edhe me senatoren, Xhin Shahin dhe me senatorin, Ron Xhonson. Shekerinska kërkoi prej tyre mbështetje për ratifikim më të shpejtë të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ditën e dytë të vizitës së punës në SHBA ministrja Shekerinska e përfundoi me takimin me drejtorin e Agjencisë për zbulim të mbrojtjes (DIA), nënkolonelin e përgjithshëm, Robert Ashli, ku u bisedua për gjendjen e sigurisë në Ballkan dhe më gjerë, si dhe për efektin pozitiv që do ta ketë anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ndaj sigurisë së rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat