OSBE-ja: 70% nga 40 mijë gra kanë përjetuar dhunë që nga mosha 15-vjeçare

Maqedonia

OSBE-ja: 70% nga 40 mijë gra kanë përjetuar dhunë që nga mosha 15-vjeçare

Më: 7 mars 2019 Në ora: 15:32
Foto Ilustrim

70% e grave të Evropës Juglindore dhe Lindore kanë përjetuar formë të dhunës që në moshën 15 vjeçare, kështu thotë raporti i dhjetëvjeçarit të fundit i OSBE-së, që u publikua të mërkurën.

Raporti gjithashtu thotë, se deri në moshën 15-vjeçare, 45% e të gjitha grave të intervistuara kanë përjetuar të paktën një nga format e ngacmimeve seksuale, dhe 21% e tyre kanë përjetuar dhunë fizike, seksuale ose psikologjike.

Sipas raportit, disa nga faktorët që favorizojnë dhunën ndaj grave janë përkatësia minoritare, mosha e re, varfëria, vartësia ekonomike dhe të pasurit fëmijë. Gjithashtu, gratë që kanë partnerë që pinë, janë të papunë ose kanë marrë pjesë në konflikte të armatosura, janë më të rrezikuara nga dhuna.

Raporti bën një numër rekomandimesh për shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së mbi mënyrën e përdorimit të të dhënave të sondazhit, përfshirë përditësimin dhe zbatimin e legjislacionit vendas për të gjitha format e dhunës kundër grave dhe vajzave, pa lënë mënjanë dhunën në internet, ngacmimin seksual, përndjekjen dhe dhunën psikologjike.

Përndryshe, raporti bazohet në një sondazh të vitit 2018 në shtatë shtete pjesëmarrëse të OSBE-së: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Sondazhi u shtri edhe në Kosovë. Gjithsej, u zhvilluan 15,179 intervista me gra të moshës 18 deri 74 vjeç.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, gjatë publikimit të raportit tha: “Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një shkelje e të drejtave të njeriut me pasoja të shumanshme. Dhuna jo vetëm kërcënon sigurinë dhe mirëqenien e viktimave të saj, por ndikon edhe në komunitetet dhe shoqëritë ku ato jetojnë”,  tha Greminger.

Sondazhi bazohet në metodologjinë e përdorur nga Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) për raportin e saj: “Dhuna ndaj grave: një sondazh në të gjithë Bashkimin Evropian,” publikuar në vitin 2014. Për hartimin e raportit u intervistuan mbi 42,000 gra nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Së bashku, të dy sondazhet mbulojnë 35 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. Meqenëse metodologjitë janë të njëjta, të dhënat e mbledhura për të dy raportet janë të krahasueshme, gjë që e bën më të lehtë planifikimin dhe zhvillimin e iniciativave dhe veprimeve rajonale, si dhe politikave dhe shërbimeve lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat