Kush është Gordana Siljanovska, kandidatja e opozitës maqedonase për presidente të shtetit

Maqedonia

Kush është Gordana Siljanovska, kandidatja e opozitës maqedonase për presidente të shtetit

Më: 8 mars 2019 Në ora: 12:30
Gordana Siljanovska – Davkova

Profesoresha universitare Gordana Siljanovska – Davkova është kandidatja për presidente të Maqedonisë, e mbështetur nga partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM.

Ajo mori mbështetjen e shumicës së delegatëve të partisë në konventën që u mbajt në Strugë, ndërsa si kundër kandidat më serioz nga kjo parti kishte deputetin Vllatko Gjorçev dhe Filip Petrovskin.

Gordana Siljanovska – Davkovka ka lindur në Ohër në maj të vitit 1955, është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Mes viteve 2012 dhe 2016 ajo ka qenë anëtare e Komisionit të Venecias për çështje të pakicave. Sot ajo mban pozitën e profesoreshës në Fakultetin Juridik në Shkup.

Siljanovska ka shkruar më shumë se 200 dokumente në fushën e të drejtës kushtetuese dhe ka qenë anëtare e shumë instituteve vendore dhe ndërkombëtare të shoqatave ligjore.

Me pikëpamjet e saj politike, ajo u bë më e zëshme në fillim të mileniumit të dytë, veçanërisht në momentet kur ajo kundërshtoi fuqishëm ndarjen e re territoriale të Maqedonisë (2004).

Ajo njihet për qëndrimin e saj ndaj Marrëveshjes së Prespës, e cila për të është e papranueshme dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që sipas saj, u miratua në mënyrë jokushtetuese.

Nëse ajo arrin të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të mbahen më 21 prill, do të bëhet presidentja e parë femër në shtet.

Ndryshe, kundër kandidatë të Siljanovskës në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 21 prill, do të jenë Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga partitë në pushtet (LSDM dhe BDI, si dhe partitë tjera më të vogla) dhe Blerim Reka i cili mbështetet nga partitë opozitare shqiptare – Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat