Gratë e Shqipërisë më punëtoret në rajon, Maqedonia e fundit

Maqedonia

Gratë e Shqipërisë më punëtoret në rajon, Maqedonia e fundit

Më: 8 mars 2019 Në ora: 12:59
Pjesëmarrja në forcat e punës

Çajupi, vite më parë, do t’i dedikonte vargje poezie zellit të grave shqiptare për të punuar dhe jo më kot. Statistikat tregojnë se në të gjithë rajonin gratë e Shqipërisë kanë përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në Forcat e Punës. Portali i të dhënave Our World in Data ka ilustruar një hartë bazuar në përqindjen e grave në forcat e punës. Për të ndërtuar këtë hartë, Our Wolrd in Data i është referuar shifrave të ILO-s (Organizatës Ndërkombëtare të Punës).

Në vitin 2017 (vit referencë për të gjitha vendet në botë) pjesëmarrja e grave në forcat e punës në Shqipëri ishte 47.22%, duke lënë pas Serbinë me 45.85% të grave pjesëmarrëse në forcat e punës.

Përqindja është edhe më e ulët në vendin tonë dhe në Malin e Zi, ku sipas të dhënave të publikuara përqindja e grave pjesëmarrëse në forcat e punës është përkatësisht 42.46% dhe 42.15%. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina renditet e fundit me 35.16% të grave që marrin pjesë në forcat e punës. Për Kosovën, portali i të dhënave nuk ka publikuar shifër, por pjesëmarrja e grave në forcat e punës është relativisht më e ulët se në vendet e tjera të rajonit.

Pjesëmarrja në Forcat Punës së grave në Shqipëri ka qenë gjithnjë më e lartë se rajoni. Sipas serisë kohore të të dhënave prej vitit 1990, është e dukshme se pjesëmarrja e grave shqiptare në Forcat e Punës ka qenë më e lartë se në rajon (shiko grafikun më poshtë).

Vendet ku mbi 60% e grave marrin pjesë në forcat e punës janë Kanadaja me 60.6% të grave pjesëmarrëse në forcat e punës, Kina me 61%, Peruja me 68% dhe vende të Afrikës, ku pjesa më e madhe e grave janë të punësuara në sektorin bujqësor.

Në Europë, tre janë vendet ku pjesëmarrja në forcën e punës është nën 40%: Italia me 39.5%, Bosnje dhe Hercegovina me 35.16% dhe Moldavia me 39.45%. Vendet e tjera në botë që kanë një pjesëmarrje të ulët të grave në forcat e punës janë vendet e Magrebit (Afrika e Veriut) dhe vendet e Lindjes së Mesme së bashku me Indinë.

Pjesëmarrja në forcat e punës është përqindja e popullsisë mbi 15 vjeç, të cilët janë ekonomikisht aktivë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat