Gara për president, matje e rejtingut në terren

Maqedonia

Gara për president, matje e rejtingut në terren

Më: 10 mars 2019 Në ora: 15:05
Zgjedhjet Presidenciale

Angazhimi i shtuar i partive politike në garën për zgjedhjen e njeriut të parë të shtetit, nga analistët konsiderohet si përpjekje për matjen e rejtingut të tyre në terren, pas ndryshimeve të fundit në shtet. Sipas juristit Naser Ziberi, angazhimi i partive arsyetohet edhe me tentimin për zgjedhjen e një presidenti të përgjegjshëm dhe me integritet. Sipas profesorit Nikolla Dujovski, për t’u shmangur pakënaqësitë nga e kaluara, detyrimet e Presidentit do të duhet të definohen më qartë dhe të afatizohen.

Presidenti në ikje me disa veprime të vetat e vu në spikamë edhe te qytetarët, edhe te aktorët politik se një president i papërgjegjshëm mund të shkaktojë probleme serioze dhe të shkaktojë probleme në funksionimin e sistemit. Pas disa vendimeve kruciale që u morën në Maqedoni, sidomos në politikën e jashtme, pushteti duhej që ta konfirmojë se a e ka legjitimitetin për udhëheqje të mëtejshme”- tha Naser Ziberi, jurist.    

Presidenti, nëse e lexojmë Kushtetutën, në pika të caktuara ka paqartësi për funksionin e tij. Shkruhet se Presidenti është i obliguar të bëjë këtë dhe këtë por askund nuk parashihen afate. Me siguri për këtë na ndodh që tani në shoqëri të kemi qëndrime të ndryshme në lidhje me sjelljen e presidentit aktual. Nëse gjithçka parashikohet sipas Kushtetutës dhe nuk ka boshllëqe juridike, presidenti nuk do të mundet të dalë jashtë tyre siç nuk ndodh me kryeministrin ose kryeparlamentarin”- pohoi Nikolla Dujovski, profesor.

Ziberi dhe Dujovski pajtohen se Presidenti është pjesë e rëndësishme e pushtetit ekzekutiv dhe kompetencat e tij janë të larta. Por, Dujovski vlerëson se në të ardhmen do të duhet të ndryshohet modeli i zgjedhjes së njeriut të parë të shtetit, duke e lënë procesin në duartë e deputetëve për zgjedhje në Kuvend. Megjithatë, për Ziberin, më i pranueshëm është modeli aktual.

 Republika e Maqedonisë së Veriut, si shtet me formë të shprehur të një demokracie parlamentare duhet të fillojë më hapur të mendojë për një mënyrë dhe procedurë tjetër për zgjedhjet e presidentit. Jo të mendohet a vlen përfshirja e partive politike por a vlen të shpenzohen gjashtë million euro nga buxheti për zgjedhjen e presidentit kur mund të merret përvoja e vendeve ku ai zgjedhet në Kuvend”- theksoi Nikolla Dujovski, profesor.

Mendoj se Maqedonia duhet të mbetet në modelin aktual, respektivisht presidenti të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta dhe qytetarët të japin mendimin e vet për këtë; një model i cili nuk lejon koncentrim të pushtetit vetëm te kryeministri sepse Maqedonia edhe ashtu ka vërejtje serioze se nuk ekziston një balancë i pushteteve mes legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit”- deklaroi Naser Ziberi, jurist.

Mandati i dytë i Presidentit aktual Gjorge Ivanov përfundon më 12 maj. Ai do të mbahet mend për disa vendime kontraverse të cilat opinion i kishte cilësuar si jokushtetuese. Ivanovi fali mbi 50 funksionarë dhe ish-funksionarë të përfshirë në hetime, refuzoi të jepte mandatin për formimin e Qeverisë së re, nuk dekretoi ligjin e gjuhëve dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Zgjedhjet presidenciale do të mbëhen më 21 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat