ASH: Raporti i DASH për Maqedoninë e Veriut alarm serioz për mungesë të rezultateve

Maqedonia

ASH: Raporti i DASH për Maqedoninë e Veriut alarm serioz për mungesë të rezultateve

Më: 14 mars 2019 Në ora: 11:36
Aleanca për Shqiptarët

Partia shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët, përmes një kumtese për media ka përshëndetur raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

Nga kjo parti thonë se raporti 2018 konfirmon se edhe përkundër disa reformave teknike dhe  ligjore të nisura nga qeveria Zaev, vendi vazhdon të përballet me problemet e trashëguara nga regjimi VMRO-DPMNE – BDI dhe të vazhduara nga pushteti aktual.

“Veçanërisht shqetësues sipas DASH mbetet korrupsioni i nivelit të lartë, me shumë raste të zyrtarëve të pushtetit të përfshirë në raste korruptive gjatë vitit që po e lëmë pas. Raporti gjithashtu veçon politizimin e gjyqësorit dhe financimin e tij të pamjaftueshëm si pengesat kryesore për një gjyqësor të pavarur dhe efektiv për të sjellë drejtësinë në vend”.

“Politizimi mbetet i përhapur në nivele shqetësuese edhe në administratën publike sipas qeverisë amerikane, e cila thekson se partitë e pushtetit kanë instaluar një sistem të patronazhit aktiv, përmes së cilit administrata përdoret për të shpërblyer dhe rehatuar militantët partiakë”, thonë nga ASH.

Ata më tej shtojnë se edhe përkundër retorikës së pushtetit për një shoqëri për të gjithë, shumë sektorë të aparatit shtetëror vazhdojnë të përjashtojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera jo-maqedonase, veçanërisht ato të rendit dhe sigurisë të cilat vazhdojnë të mbeten mono-etnike.

“Ky raport i DASH, i cili vjen në vazhdën e shumë raporteve ndërkombëtare të cilat kanë sjellë po te njëjtat vlerësime, duhet të trajtohet si sinjal alarmi nga pushteti pasi që pikat më sipër janë saktësisht kushtet mbi të cilat krerët e BE-së do të vendosin mbi hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE”, theksojnë nga ASH.

Ata i bëjnë thirrje kryeministri Zaev se “duhet ta ketë të qartë se vendit i kanë mbetur më pak se tre muaj për të ndalur kapjen e shtetit dhe për t’u shkëputur njëherë e mirë nga praktikat e regjimit VMRO-DPMNE– BDI”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat