Matka e mbushur me mbeturina, fëmijët kërkojnë ambient të pastër

Maqedonia

Matka e mbushur me mbeturina, fëmijët kërkojnë ambient të pastër

Më: 18 mars 2019 Në ora: 21:42
Matka

Aksion për mbledhjen e mbeturinave është mbajtur sot në Matkë. Eliza 4 vjeçare bashkë me shokët e saj, po shpërndanë doreza për t’i mbledhur mbeturinat në kanionin Matka. Ajo porositë qytetarët që mbeturinat t’i hedhin në kosh e jo në tokë.

“Riciklim është, kur diçka nuk i duhet dikujt dhe e hedh në kontejner, ta përdorim ne. Mbeturinat duhet të hedhen në kosh”, u shpreh Eliza.

Aksioni filloi nga ora 8 e mëngjesit, por mbeturinat nuk kishin fund. Iniciativës për të pastruar bregun e lumit Treska, iu bashkëngjitën edhe “Higjiena komunale” dhe ndërmarrja “Parqe dhe Gjelbërime”. Shefkiu, nga “Higjiena komunale” thotë se pastrojnë shpesh në këtë zonë, por sipas tij qytetarët e pandërgjegjshëm hedhin vazhdimisht mbeturina.

“Kur e pastrojmë për dy ditë serish bëhet papastër. Duhet të ketë pastërti, ama ne nuk dimë ta mbajmë vendin pastër”, theksoi Shefki Shaqiri, NP “Higjiena Komunale”.

Ndonëse në këtë zonë nuk ka kontejnerë dhe kosha të mjaftueshme, nga ndërmarrjet “Parqe dhe Gjelbërime” dhe “Higjiena komunale” fajësojnë qytetarët për pakujdesi sa i përket pastërtisë.

“Kemi ekipe këtu dhe vazhdimisht i zbrazin kontejnerët. Do të vendosi edhe kontejner të tjerë që mos të arsyetohen qytetarët se nuk kanë ku t’i hedhin mbeturinat”, deklaroi drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Abdusamed Shabani.

“Jemi duke e dhënë maksimumin dhe kemi rritje 100% të punës. Por mirëmbajtja, siç theksoi drejtori duhet të jetë e përbashkët”, u shpreh drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Ardian Muça.

Aksioni për pastrimin e kanionit të Matkës u organizua nga organizata joqeveritare “4SELECT”. Destinacioni i ardhshëm i kësaj organizate është fshati Shishovë dhe Gllomovë. Në këtë eveniment, që mbahet me rastin e Ditës Botërore të riciklimit edhe zyrtarisht u promovua iniciativa e TrashTag, ndërsa fëmijët dërguan mesazhe për shpëtimin e planetit Tokë. Qëllimi është që edhe qytetarët të kyçen në aksione pastrimi dhe ta ruajnë ambientin jetësor. Nga organizata 4SELECT thonë se në Maqedoni riciklohet 1% e mbeturinave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat