Iliev: Politikisht është jokorrekte që të ndërrohet i tërë ekipi i PSP-së

Maqedonia

Iliev: Politikisht është jokorrekte që të ndërrohet i tërë ekipi i PSP-së

Më: 19 mars 2019 Në ora: 14:09
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev

Fati i Prokurorisë Speciale në Maqedoninë e Veriut mbetet të përcaktohet nga ujdia që do të arrijnë grupet e punës së dy partive kryesore maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO-DPMNE-sësi dhe partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).Qëndrimet e këtyre partive duhet të inkorporohen në ligjin e ri që rregullon punën e Prokurorisë së Përgjithshme Publike.

Ndërkohë që shumica parlamentare, e cila kryesohet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbetet në qëndrimin se ligji i ri i Prokurorisë Publike, që do të definojë edhe të ardhmen e Prokurorisë Speciale, të kalojë para raportit të Komisionit Evropian, duke i vendosur shenjën evropiane, me qëllim që të dërgohet në Parlament me procedurë të përshpejtuar.

Por, partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, thotë se çështja është e ndjeshme dhe se ligji duhet të miratohet pas një debati publik, ku do të përfshiheshin vërejtjet dhe sugjerimet e ekspertëve.

Dallimi kryesor ndërmjet dy partive politike maqedonase është kërkesa e liderit të opozitës maqedonase që prokurorja e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva dhe ekipi i saj të largohen dhe ky institucion të drejtohet nga ndonjë prokuror i huaj, pasi sipas lideri të VMRO-së, Hristijan Mickovski, prokurorja Janeva nuk punon në favor të drejtësisë, por në favor të LSDM-së së kryeministrit Zaev.

LSDM-ja, në anën tjetër ka shprehur përkrahje për prokuroren Janeva dhe ekipin e saj, duke thënë se ata kanë kryer me nder punën.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev thotë se politikisht është jokorrekte që të ndërrohet i tërë ekipi i Prokurorisë Speciale.

“Të gjitha ligjet që miratohen janë rezultat i një pazari politik. Asnjëherë ato nuk zbatohen plotësisht dhe në këtë mënyrë nuk përmbushin qëllimin për të cilin miratohen, përkatësisht të vënë në funksion shtetin ligjor”, thotë iliev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat