Han: Maqedonia e Veriut pishtar shprese

Maqedonia

Han: Maqedonia e Veriut pishtar shprese

Më: 20 mars 2019 Në ora: 11:00
Zoran Zaev, Johannes Hahn dhe Federica Mogherini

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev qëndroi në Bruksel dje (19.03), në kuadër të konsultimeve të rregullta për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

“Maqedonia e Veriut nga një vend i krizës është bërë pishtar i shpresës”, tha Komisionari për Zgjerim Johannes Hahn. Ai i bëri komentet pas takimit të rregullt rreth zbatimit të MSA-së.

Ndërsa nga ana e saj Federica Mogherini, Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, tha se Maqedonia duhet të jetë burim i frymëzimit të të tjerëve. Ajo shtoi se liderët e rajonit duhet të zgjedhin “Nëse je udhëheqës në një vend të komplikuar, në një rajon të komplikuar mund të zgjedhësh që të kesh qëllime të larta dhe të zgjidhësh çështje për popullin tënd për vendin tënd, apo mund të zgjedhësh që të navigosh në kohë të vështira duke pritur që vijnë kohët më të mira”. Zaev ka zgjedhur “rolin e lidershipit që ka sjellë rezultate”, tha Mogherini.

Të pyetur për protestat në Serbi dhe në Shqipëri dhe nëse BE-ja është duke përkrahur pushtet në fuqi në dëm të demokracisë Mogherini tha, se “BE-ja është ajo që më së shumti në botë përkrah sundimin e ligjit dhe hapësirën për opozitën dhe shoqërinë civile”.

Nga ana e tij Hahn tha, se ai do të bënte gjithçka që të mbrojë lirinë e fjalës dhe të drejtën për protestë, por nuk do të tolerojë dhunën. Dhuna “nuk është ajo që duam të shohim”.

Ndonjëherë kam përshtypjen,  se ata që kërkojnë nga ne të mbrojmë sundimin e ligjit kërkojnë nga ne që të shkojmë në një vend dhe të ndërrojmë qeverinë. “Ne nuk e kuptojmë kështu sundimin e ligjit”, tha Hahn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat