Dita Ndërkombëtare e Ujit, u bë pastrimi nënujor i Liqenit të Matkës

Maqedonia

Dita Ndërkombëtare e Ujit, u bë pastrimi nënujor i Liqenit të Matkës

Më: 22 mars 2019 Në ora: 16:18
Pastrimi nënujor i Liqenit të Matkës

Sot me aksionin për pastrimin nënujor të Liqenit të Matkës, në Shkup u shënua 22 Marsi – Dita Botërore e Ujit. Nga liqeni u nxor një barkë e fundosur dhe mbeturina të tjera, njofton Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Mjedisit lajmërojnë se me këtë rast, anëtarët e Klubit të speleo-palombarëve „Vrello“  dhe Klubi i palombarëve „Pena” me sukses kanë nxjerrë një nga barkat e fundosura në liqen, ndërsa  më pas  kanë vazhduar të nxjerrin pjesë të mbeturinave nga fundi i liqenit.

Sipas tyre, qëllimi i ngjarjes ishte rritja e ndërgjegjësimit për gjendjen shqetësuese të ujërave në vendin tonë dhe konkretisht në këtë rast, për sasinë e madhe të mbeturinave që hidhen në ujërat e liqenit të Matkës me rrezikun që në një kohë të shkurtër Kanioni do të kthehej në një deponi të ujit.

I pranishëm në ngjarje ka qenë edhe zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli. Ai bëri thirrje për të kultivuar qëndrim të drejtë ndaj ujit si një nga burimet më të çmuara në botë, gjatë gjithë vitit, jo vetëm në këtë ditë.

“Kanioni është një nga objektet që po përpiqemi t’i mbrojmë përmes projektit “Përmirësimi i menaxhimit të zonave të mbrojtura”, në kuadër të të cilit për Vodnon dhe për Matkën janë ndarë rreth 400,000 dollarë për përcaktimin e zonave të mbrojtura dhe statusin e Matkës dhe në veçanti për të përcaktuar për atë që nënkupton menaxhim aktiv dhe zhvillim të qëndrueshëm të një zone të mbrojtur”, tha Makraduli.

Kryetari i Klubit të speleo-palombarëve „Vrello“  Kiro Angelleski tha se ky është i pari prej dhjetë aksioneve të planifikuara për pastrimin nënujor të të gjitha liqeneve në vendin tonë që do ta kryejnë gjatë këtij viti.

“Qëllimi ynë është të shënojmë këtë ditë dhe të dërgojmë një mesazh se nuk mund të sillemi si deri tani, gjegjësisht të hedhim mbeturinat në ujërat që tashmë janë shumë të ndotura”, tha Angelleski.

Në zbatimin e aktiviteteve u përfshinë edhe punonjësit e Ndërmarrjes Publike Komunale në Shkup, të cilët morën mbeturinat e grumbulluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat