Rritet mbikëqyrja e shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës në Maqedoni

Maqedonia

Rritet mbikëqyrja e shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës në Maqedoni

Më: 22 mars 2019 Në ora: 19:03
Foto ilustruese

Nga ana tjetër, ekspertët juridikë thonë se sfida kryesore për këtë Komision, do të jetë përcaktimi i një vije të qartë, e cila do të jetë e pakapërcyeshme mes asaj se çka do të thotë interes shtetëror dhe çka është interes i partive politike.
 

“Në bazë të Ligjit, e kemi për obligim që ta ndjekim fushatën zgjedhore dhe ta ndjekim financimin e partive politike. Tashmë e ndërmorëm një aktivitet, u dërguam kërkesë të gjitha institucioneve publike që të na dorëzojnë listën e veturave të tyre zyrtare – sipas markës dhe sipas regjistrimit. Kjo për të përgatitur një bazë të dhënash për të gjitha veturat zyrtare, e të cilën do ta publikojmë në ueb-faqen tonë. Aty, këto të dhëna do të shfrytëzohen edhe nga organizatat joqeveritare, të cilat përmes vëzhguesve të tyre, gjithashtu e ndjekin procesin zgjedhor”.

“Qëllimin ynë është që të pengojmë shfrytëzimin e paligjshëm të kapaciteteve buxhetore, në këtë rast: të veturave zyrtare, duke pasur parasysh informacionet prej më parë, prej fushatave të mëparshme zgjedhore, se në shumë raste keqpërdoren veturat zyrtare”, thekson në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komisionit për parandalimin e korrupsionit, Biljana Ivanovska.

Ajo shton se në fokus të Komisionit për parandalimin e korrupsionit do të jetë dhe parandalimi keqpërdorimit me resurset njerëzore nga ana e partive në pushtet për qëllime të fushatës zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të shtetit.

Ivanovska thotë se ky komision ka paraparë të realizohen më shumë kontrolle pa paralajmërim në shumë institucione të shtetit, ku ka indicie se të punësuarit në administratë urdhërohen që të inkuadrohen në tubimet e fushatës zgjedhore për parti të caktuara.

“Duke e ditur që keqpërdoren edhe resurset njerëzore, përkatësisht të punësuarit në administratën publike, planifikojmë që të bëjmë edhe random-vetting (verifikim rasti) të listave për evidencë të shkuarjes në punë dhe të kthimit në shtëpi, për të bërë kontrollimin. Dhe, do të kemi edhe raportime nga vëzhguesit dhe tek ato që do të jenë institucione me rrezik, do të bëjmë verifikimin nëse ndonjëri prej të punësuarve ka marrë pjesë në fushata zgjedhore gjatë orarit të punës”, sqaron Ivanovska.

Në lidhje me këtë, Temelko Ristevski, ekspert për çështje juridike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ndodhet para një sfide të madhe – që të përcaktojë atë vijën e hollë mes interesave shtetërore dhe atyre partiake, për gjë Maqedonia e Veriut është kritikuar nga faktori ndërkombëtar.

“Tepër shumë e hollë është linja mes partisë edhe shtetit , prandaj duhet të përcaktohet një kufi i qartë se çka paraqet interes partiak dhe çka paraqet interes shtetërorë dhe në asnjë mënyrë të mos tejkalohet kjo linjë vetëm atëherë mund të themi se kemi pas një fushatë të pastër kur s’janë keqpërdorë nga ana e partive në pushtet resurset e institucioneve shtetërore.

Anëtarët e Komisionit për parandalimin e korrupsionit duhet të ndjekin situatën dhe sapo të vërejnë ndonjë shkelje, duhet të ngrenë procedurë. Në të kundërtën, ky institucion do të mbetet si në të kaluarën, një dorë e zgjatur që mbron interesat e shtetit dhe jo interesat e qytetarëve”, konsideron Ristevski.

Organizatat joqeveritarë thonë se pikërisht një fushatë e pastër zgjedhore dhe transparente duke mos lënë hapësirë për keqpërdorimin e mjeteve nga arka e shtetit, do të paraqesë një mundësi të mirë që Maqedonia e Veriut të ecënmë sigurt drejt marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat