Si u dogj 20 vite më parë ambasada amerikane në Shkup, detaje tmerruese nga ambasadori Hill

Maqedonia

Si u dogj 20 vite më parë ambasada amerikane në Shkup, detaje tmerruese nga ambasadori Hill

Më: 24 mars 2019 Në ora: 12:41
Momente nga djegja e ambasadës amerikane në Shkup

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe Serbi kundër caqeve të forcave ushtarake serbe, në Maqedoni po zhvilloheshin protesta masive kundër këtyre sulmeve dhe në përkrahje të Beogradit.

Këto protesta eskaluan më 25 marsin e 1999, kur turmat e organizuara të demonstruesve proverbë dhe huliganëve ndërhynë dhe dogjën ambasadën amerikane. Ishte një ngjarje tmerruese që pushtoi gjithë mediat e vendit.

Një evokim të këtyre ngjarjeve ka bërë edhe ish-ambasadori amerikan në Maqedoni, Christopher Hill në librin e tij autobiografik një pjesë ia ka kushtuar misionit të tij si ambasador në Shkup dhe sidomos ngjarjes së djegies së ambasadës amerikane në 25 marsin e 1999.

Ja se si e përshkruan ngjarjen tmerruese, ambasadori Hill në librin “Jeta në linjat e betejës të diplomacisë amerikane”.

“Në ditën e sulmit dhe djegies së ambasadës më 25 mars 1999, nuk kishte pasur paraprakisht asnjë shenjë se po përgaditeshin protesta, përveç se një grupi të vogël të studentëve që këndonin këngën Give Peace a Chance para ambasadës dhe se ata nuk më njohën mua si ambasador derisa po parakaloja përskaj tyre në shëtitjen time të mëngjesit. Ndërkohë Shkupi ishte i mbushur nga makinat jeep të portokallta të misionit të OSBE, të cilat ishin kthyer nga Kosova dhe se ishin koncentruar rreth hotelit Aleksandar Palace në Shkup, edhe atë në afërsi të ambasadës.

Deri në orët e pasdites grupi i vogël i studentëve janë tërhequr, ndërsa ata u zëvendësuan nga një grup më i madh që nuk ishte i interesuar për të kënduar, por për të gjuajtur vezë nga rrethojat e ambasadës. Bashkë me vezët fluturonin edhe gurë. Problemi kryesor ishte se Qeveria e Maqedonisë nuk kishte siguruar prani të shtuar policore. Autobusë me demonstrues po ndalonin dhe zbarkonin përskaj hotelit “Aleksandar Palace”, dhe kur shikonin praninë e shtuar policore, ata ktheheshin prapa dhe shkonin drejt bulevardit Ilinden në drejtim të Ambasadës.

Rreth orës 17.15, dritaret filluan të thyheshin nga fuqia e gurëve, ndërsa për mungesën e pranisë së policisë, zyrtari i sigurisë Charls Stouncifer, që ishte përgjegjës për të thirrë prani të shtuar policore, rekomandoi që të përgaditen hapësirat e sigurisë në bodrumin e ambasadës, për shkak se ishte vetëm çështje kohe hyrja e demonstruesve në ambasadë.

Urdhërova të gjithë të punësuarit që të shkojnë në bodrum, duke siguruar dhe kontrolluar edhe personalisht të gjitha dhomat, për të mos harruar dika. Ka pasur rreth 42 veta, më shumë staf vendor. Deri në këtë kohë, porta hyrëse ishte rrëzuar dhe se turmat ishin në oborrin e ambasadës. Skena ishte tmerruese, demonstruesit po digjnin makinat tona. Shikoja një demonstrues, jo shumë i ri, me një maskë në kokë, se si me gurë po godiste xhamin e makinës, derisa e theu, dhe më pas ndezi një koktej molotovi dhe e hodhi në pjesën e prapme të makinës. Unë pasi pashë këtë skenë i fundit bashkë me përkthyesin Bix Aliu hyra në bunker.

Ky bunker ishte i përbërë nga disa hapësira të mbrojtura me një derë çeliku, dhe se prej aty kishim lidhje direkte me Departamentin Amerikan të Shtetit, nga ku ata po e ndiqnin situatën dhe dramën e krijuar. Ne ishim të lidhur edhe me një të punësuar të sigurisë, i cili përmes një lidhje telefonike mobile na informonte se çfarë po ndodhte jashtë, pasi që ai zyrtar ishte përzier me grupin e demonstruesve.

Ne përmes një lidhje të tretë po kërkonim intervenimin e policisë së Maqedonisë, ndërsa në lidhjen e katërt ishin bisedimet me gjeneralin Vesli Klark, i cili me kërkesë të sekretares amerikane Medlin Olbrajt kishte përgaditur një njësi prej 75 marinsave amerikan nga baza Petrovec e Shkupit, për të ndërhyrë në rastin e nevojshëm.

Hill më tej përshkruan se si të punësuarit Philip Reeker dhe Tina Kaidanov po tentonin që të mbajnë moralin e kolegëve, të cilët ishin të shqetësuar dhe me nerva. Në bodrum, përveç të punësuarve ishte edhe Klara, njëra nga vajzat e mija, por edhe gazetarja Biljana Sekulovska, gazetare e televizionit A1 me një kameraman, të cilët kishin mbërritur në ambasadë disa orë më parë për një intervistë.

Problemi kryesor dhe shqetësues në bunker ishte mungesa e ajrit dhe se çfarë mund të ndodhte nëse do të digjej tërë objekti që ishte mbi ta. Në rast të djegies së hapësirës mbi ta dhe do të ngeleshin pa ajër, ata do të mund të shfrytëzonin një tunel që i çonte drejt parkingut, pikërisht në vendin ku po digjeshin makinat e tyre nga demonstruesit.

Shqetësimi më i madh ishte rreth orës 18, kur demonstruesit kishin shkulur një shtyllë dhe se e përdornin ate për të hapur derën e përparme hyrëse e njohur si ‘mesjetarja’. Por 15 minuta më pas zyrtari nga jashtë ka informuar se policia ka ndërhyrë dhe se po i ndiqte demonstruesit nga oborri i ambasadës.

Unë informova gjeneralin Klark për këtë. Ai më tregoi se edhe njësiti i tij për intervenim të shpejtë, ishte afër ambasadës, dhe se kanë informacione se policia kishte hyrë. Unë i thash se jemi të gatshëm për të dal nga bunkeri. Gjenerali Benc Kredok, përgjegjës për forcat amerikane për ndërhyrje në Kosovë, ndërmori kontrollin e sigurisë dhe urdhëroi vendosjen e telave me gjemba në hyrje dhe muret e ambasadës, derisa marinsat ishin përreth ambasadës.

Pas kësaj pyeta njërin nga marinsat se cilat janë urdhërat e tyre dhe se ai më ktheu se në rast se disa demonstrues do të ndërhyjnë, ne do ti arrestojmë dhe do tia dorëzojmë autoriteteve vendore, por në rast se ndodhë ndonjë grup më i madh, atëherë do të pasojnë të shtëna paralajmëruese në ajër, por nëse edhe kjo nuk respektohet atëherë më ktheu se “nuk do të donim që ata të bënin atë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që ambasada të mbetet e hapur, ashtu si ambasadat e tjera, që përballeshin me demonstrata për shkak të sulmeve ndaj Jugosllavisë. Detyra jonë ishte që të shlyhen grafitet rreth mureve të ambasadës, të ngritej flamuri i ri amerikan dhe të përcillet porosia se SHBA mbetet e pranishme në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat