Takimi i Mickoskit me 8 deputetët, jo për t’i kthyer në parti

Maqedonia

Takimi i Mickoskit me 8 deputetët, jo për t’i kthyer në parti

Më: 26 mars 2019 Në ora: 15:47
Hristijan Mickoski

Takimi i liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski me deputetët që i përjashtoi nga partia, nuk nënkupton kthimin e tyre në parti. Palët pretendojnë se janë duke diskutuar për tejkalimin e dallimeve në propozim-ligjin për Prokurorinë Publike dhe fatin e Prokurorisë Speciale Publike. Grupi i përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja, nuk përjashton mundësinë që në rast se dështojnë negociatat për sigurimin e 2/3, të mbështes shkarkimin e kryeprokurorit Ljubomir Joveski.

"Për miratimin e ndryshimeve duhet pasur marrëveshje mes gjitha partive politike dhe unë shpresoj se ka hapësirë për bisedime dhe marrëveshje. Në kuadër të bisedimeve besoj se ka hapësirë për të diskutuar edhe për shkarkimin e kryeprokurorit në rast se vihet deri në këtë situatë”, tha Zekir Ramçilloviq, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE-ja e cila 8 deputetët i cilësoi tradhtar për faktin që mbështetën ndryshimet kushtetuese, tani konsideron se në takimin e kreut të opozitës me deputetët e përjashtuar nuk ka asgjë për t’u çuditur.

"Ishte vetëm një takim 2 orësh ku u hapën qëndrimet tona ndaj ligjeve reformuese. Besoj se këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur”, theksoi Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

BDI arsyeton takimin. Sipas deputetit, Artan Grubi me 8 deputetët negocion edhe pushteti edhe opozita.

"Unë e shoh një dialog pozitiv mes kryeministrit Zoran Zaev dhe deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë dhe të njëjtën gjë po përpiqet ta bën edhe lideri i opozitës”, pohoi Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Takimi i Mickoskit me deputetët e përjashtuar nga VMRO-ja erdhi në momentin kur opozita dhe pushteti thelluan dallimet mbi fatin e PSP-së dhe propozim-ligjin për Prokurorinë Publike. Pushteti kërkon që Specialja si departament në vete të inkuadrohet në Prokurori të Përgjithshme, ndërsa opozita kërkon që si fillim t’i jepet e drejta për propozimin e kryeprokurorit dhe Specialja të funksionojë pa Katica Janevan dhe një pjesë të prokurorëve në të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat