Zaev: Bllokoni sa të doni, ne do të gjejmë zgjidhje

Maqedonia

Zaev: Bllokoni sa të doni, ne do të gjejmë zgjidhje

Më: 26 mars 2019 Në ora: 19:35
Zoran Zaev

Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, sot është përballur në debat me kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, ku kanë folur për çështjet aktuale në vend, ndryshimin e emrit, reformat si dhe eurointegrimet.

Zaev dhe Mickoski në një emision në “Kanal 5” kanë folur për çështjen e negociatave për Ligjin për Prokurorinë Publike, si dhe reformat në gjyqësor.

Zoran Zaev u shpreh i bindur se kushtet që janë vendosur për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian, do të miratohen me konsensus nga të gjitha partitë.

Ai kërkoi nga Mickoski që të përgjigjet pse nuk mbështet vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale dhe nëse partia e tij është vendosur në mbrojtje të krimit.

“Jam opitimist se e ardhmja në BE dhe këto kushtet që presim t’i përmbushim, do të arrijmë t’i plotësojmë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Prokurorinë, gjyqësorin ose çështje tjera. Ne do të bëjmë gjithçka, dialogu vazhdon dhe shpresoj që me konsensus do të arrijmë të zgjidhim çështjen e Prokurorisë Speciale. Pyetja është nëse opozita do të vazhdojë të bllokojë hapjen e bisedimeve me BE-në, në mënyrë që të mbrojë krimin”, tha mes tjerash Zaev.

Ai tha se Mickoski dhe partia e tij ka përgatitur sërish skenar për të bllokuar Maqedoninë e Veriut që të nisë negociatat me Bashkimin Evropian.

Ndërsa Hristijan Mickoski, në replikën e tij tha se pushteti e përdor PSP-në për të bërë presione mbi opozitën, duke i bërë thirrje Zaevit që të mbështesin amendamentet që ata kanë dorëzuar për Prokurorinë Speciale.

Drejtuesi i debatit të sotëm mes Zaevit dhe Mickoskit, tha se deklaratat që do të përdoren nga të dy politikanët do të konfirmohen me mjete të ndryshme nëse janë të vërteta ose jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat