Ministria e Mbrojtjes e korrigjoi konkursin, eseja për NATO-n mund të shkruhet edhe në shqip

Maqedonia

Ministria e Mbrojtjes e korrigjoi konkursin, eseja për NATO-n mund të shkruhet edhe në shqip

Më: 27 mars 2019 Në ora: 14:03
Konkursi

Ministria e Mbrojtjes e ka korrigjuar konkursin për nxënësit e shkollave të mesme për shkrimin e ese-së vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze me titull “NATO dhe UNË”, me rastin e 70-të vjetorit të krijimit të NATO-s dhe para anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në këtë aleancë ushtarake njofton Portalb.mk.

Konkursi, fillimisht parashihte që esetë të shkruhet vetëm në gjuhën angleze dhe maqedonase, por pas një bisede telefonike të gazetarit të Portalb.mk, me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, atë pjesë e kanë fshirë dhe është shtyrë afati i konkursit për pesë ditë.

“E kemi rregulluar, tani mundet çdo nxënës në gjuhën e tij amë të dërgojë ese, ndërkaq për të mos ia shkurtuar të drejtën askujt, e kemi vazhduar edhe afatin për dorëzimin e eseve për 5 ditë, gjegjësisht deri më 4 prill”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Dushko Avramovski.

Nxënësit e interesuar mund t’i lexojnë kushtet e konkursit: KËTU

Për rastin në fjalë dje reagoi Aleanca për Shqiptarët, e cila akuzoi Ministrinë se nuk e zbaton gjuhën shqipe.

“Ministria injoron dhe e shkel ligjin e gjuhës shqipe duke marrë vendim se ky aktivitet dhe autorët e eseve duhet të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Moszbatimi i ligjit dhe injorimi i gjuhës shqipe në këtë rast dëshmon se Maqedonia e Veriut vazhdon me mentalitet të vjetër dhe nuk dëshmon se me sinqeritet dëshiron të nderojë e të ju bashkohet vendeve demokratike ku përçohet barazia dhe drejtësia për të gjithë”, akuzojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Akuzat gjithashtu kanë qenë se shqiptarët diskriminohen pasi që me këtë, nxënësit maqedonas kanë përparësi karshi nxënësve shqiptarë, pasi që ata kanë të drejtë të shprehen në gjuhën e tyre amë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat