Mustafa: Nuk kemi informacione për Demirin dhe Ismailloviqin, do të bashkëpunojmë me Shkupin për rastin “Monstra”

Maqedonia

Mustafa: Nuk kemi informacione për Demirin dhe Ismailloviqin, do të bashkëpunojmë me Shkupin për rastin “Monstra”

Më: 29 mars 2019 Në ora: 15:38
Ekrem Mustafa

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Ekrem Mustafa, sot deklaroi se nuk posedojnë informacione ku ndodhen Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, të cilët janë të akuzuar për rastin “Monstra” dhe për të cilët ka informacione se ndodhen në Kosovë.

Mustafa pas ushtrimeve taktike trepalëshe të Policisë së Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, tha se Prishtina do të bashkëpunojë me Shkupin dhe do të veprojë sipas ligjeve në lidhje me kërkesën për ekstradimin e tyre.

“Për momentin nuk kemi informacione se ku ndodhen, por ne do të veprojmë në pajtim me procedurat ligjore dhe do të bashkëpunojmë me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka informacione për Demirin dhe Ismailloviqin.

Ndryshe, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq janë në mesin e të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, që në opinion njihet si rasti “Monstra”.

Ka informacione se ata ndodhen në Kosovë, ndërsa autoritetet e Shkupit pas lëshimit të fletarrestit ndërkombëtar kanë kërkuar nga Prishtina që t’i ekstradojë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat