Kandidatët presidencial nënshkruan Kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Maqedonia

Kandidatët presidencial nënshkruan Kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike

Më: 31 mars 2019 Në ora: 12:55
Blerim Reka, Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski

Kandidatët presidencial, Blerim Reka, Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski sot në hapësirat e KShZ-së nënshkruan Kodeksin për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski deklaroi se teksti i Kodeksit përmban rregulla që secili kandidat duhet t’i respektojë.

“Ky është një veprim i mirë solemn ku obligohemi  të gjithë ne ta shprehim kapacitetin tonë demokratike”, tha kreu i KShZ-së, Oliver Derkoski.

Kandidati i opozitës shqiptare, Blerim Reka theksoi se është e rëndësishme që rezultati të jetë i rregullt, pavarësisht se kush do të fitojë.

“S’ka rëndësi kush fiton, e rëndësishme është rezultati të jetë i rregullt, në mënyrë që të hymë në BE. S’do jetë garë për jetë a vdekje,por garë për një kapitull të ri të shtetit. E jona është që t’i përmbushim obligimet nga kodeksi”, tha Reka.

Profesoresha e mbështetur nga opozita maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova, pas nënshkrimit të Kodeksit pret që lufta do të udhëhiqet me argumente.

“Për mua rregullat etike janë të rëndësishme, mund të jenë edhe më të rëndësishme se e drejta dhe drejtësia. Pres luftë të fortë, edhe pse jam grua. Luftë me argumente. Shpresoj që fjalën e fundit do ta kenë qytetarët”, tha Siljanovska Davkova.

Kandidati nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski tha se është mirë që nënshkrimi i Kodeksin është bërë praktikë. Ai premtoi se gjithçka që është nënshkruar do të zbatohet në terren.

“S’kam dilema se që të tre do të bëjmë gjithçka që të kemi luftë demokratike. Dua të kemi zgjedhjet korrekte, demokratike dhe të suksesshme”, tha Pendarovski.

Fushata e zgjedhjeve presidenciale fillon nesër, më 1 prill dhe mbaron më 19 prill në mesnatë. Rrethi i parë i votimit do të mbahet më 21 prill, ndërsa votimi i dytë do të mbahet më 5 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat