Shekerinska: 4 Prilli është edhe ditë e jona si vend i ftuar për anëtarësim në NATO

Maqedonia

Shekerinska: 4 Prilli është edhe ditë e jona si vend i ftuar për anëtarësim në NATO

Më: 4 prill 2019 Në ora: 18:35
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, sot në Shkup hapi ekspozitën e muzeut “70 vjet nga themelimi i NATO-s dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, anëtarja e 30-të e NATO-s”, ku u promovua edhe pulla postare jubilare me rastin e përvjetorit të 70-të të Aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Shekerinska në hapjen e ekspozitës në muzeun ushtarak vuri në dukje se 4 Prillin, përvjetorin e NATO-s, e festojnë pasi, siç tha ajo, besojnë në të ardhme më të qetë, më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë.

“Sot është më mirë. Sot është ndryshe. Sot kjo ditë është dita jonë si vend i ftuar për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s. Sot ne jemi krenarë se vendi ynë ulet në tavolinën e Aleancës, së bashku me aleatët tanë. Ne presim që në kohë të shpejtë do të kemi mundësinë për të marrë vendime që do të ndikojnë në sigurinë globale dhe paqen në botë”, tha Shekerinska, duke shtuar se në ekspozitë mund të shihen dokumentet dhe marrëveshjet që kanë ndryshuar të tashmen e Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmen e saj.

Në ekspozitë për herë të parë në publik u shfaqën dokumentet origjinale nga nënshkrimi marrëveshjes për miqësi me Bullgarinë, Marrëveshjes së Prespës dhe dokumente nga pjesëmarrja e parë e Maqedonisë së Veriut në takimin ministror të vendeve të NATO-s.

Në fjalën e saj, Radmilla Shekerinska gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdon traditën e NATO-s, e vendosur me shtypjen e pullave postare në vitin 1952 nga Portugalia dhe SHBA, dhe sot zyrtarisht promovoi pullën postare të lëshuar në përdorim nga ana e postës së Maqedonisë së Veriut me rastin e 70-vjetorit të themelimit të NATO-s.

Drejtori i Përgjithshëm i postës, Ejup Rustemi, duke theksuar se NATO është platformë për të bashkuar kombet dhe për veprime të përbashkëta për të ardhmen, tha se letrat dhe dërgesat postare krijojnë ura dhe komunikim mes popujve dhe kombeve.

“Pulla postare 70 vite nga themelimi i NATO-s do të përcjellë porosinë në mbarë botën se paqja dhe zhvillimi janë vlera për të cilat ia vlen të luftojmë”, theksoi Rustemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat