Java e parë e fushatës zgjedhore, në vend të kandidatëve dominuan partitë

Maqedonia

Java e parë e fushatës zgjedhore, në vend të kandidatëve dominuan partitë

Më: 6 prill 2019 Në ora: 17:59
Maqedonia Veriore

Java e parë e fushatës presidenciale, sipas ekspertëve të komunikimit, në vend të kandidatëve, u rrëmbye nga partitë politike. Sipas Xhelal Nezirit edhe pse kandidatët shfaqen si mbipartiakë, pjesën më të madhe të fushatës ua harxhojnë partitë politike. Ndërsa Angellka Peeva Llaurençiq vlerëson se fushata është shumë e mbyllur dhe mungojnë përplasjet e argumenteve nga të tre kandidatët edhe për tema të tjera përveç çështjes së emrit.

“Kemi tre kandidatë të pavarur, prandaj mendoj se është absurde ose demaskuese vetë paraqitja e liderëve në podium dhe mbajtja e fjalimeve të gjata, apo edhe reklamimi i atyre fjalimeve më shumë se sa i vetë kandidatëve. Kemi lloj hipokrizie nga ana e partive politike të cilët në fakt kanë kandiduar kandidat të tyre mirëpo e kanë ambalazhuar si të pavarur”, tha Xhelal Neziri, ekspert.

“Ajo që mund të konstatojmë është se e gjithë ngjarja sillet rreth një çështje, siç është çështja e emrit. Nëse do të kishim mundësi t’i këshillojmë, do t’i këshillonim që t’i shmangen pak dhe të përziejnë edhe tema të tjera”, pohoi Angellka Peeva Llaurençiq, eksperte e komunikimit

Neziri dhe Peeva Llaurençiq, nënvizojnë se kandidatët premtojnë edhe për çështjet të cilat nuk janë në kompetenca të presidentit.

“Mendoj se të tre kandidatët do të vetëdijesohen gjatë fushatës patjetër të prekin tema të cilat janë në kompetenca të funksionit për të cilin konkurrojnë dhe tema të cilat do të dalin nga boshti i çështjeve të lidhura me emrin e shtetit”, theksoi Angellka Peeva Llaurençiq, eksperte e komunikimit.

“Kemi rastin e opozitës shqiptare që përmendi 20 përqindëshin, pra votoni kandidatin shqiptar dhe ju nuk do të jeni 20 për qind. Ose kishim rastin e Gordana Siljanovskës e cila thotë se do të zhbëjë Marrëveshjen me Greqinë, ligjin për gjuhën, do të ndryshojë politikat, do të rifillojë negociata e kështu me rradhë. Ose në rastin e Pendarovskit i cilin premton edhe zhvillim ekonomik, premton edhe pjesë të sferave të cilat i përkasin kompetencave të Qeverisë”, pohoi Xhelal Neziri, ekspert.

Ekspertët si pozitive në fushatë e shohin ballafaqimin televiziv të kandidatëve për president, ndërsa presin java e dytë të fushatës të jetë më dinamike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat