Ahmeti nuk ndalet: Bën thirrje që Pendarovski të përkrahet për president të Maqedonisë

Maqedonia

Ahmeti nuk ndalet: Bën thirrje që Pendarovski të përkrahet për president të Maqedonisë

Më: 8 prill 2019 Në ora: 22:55
Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka deklaruar sot se zgjedhjet për president të Maqedonisë Veriore janë vendimtare për të vazhduar proceset euro-integruese dhe për të përmbyllur një kapitull me sukses që do të vendos në binar të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.

Ai gjatë fushatës në Komunën e Bogovinës theksoi se me fitoren e kandidatit të përbashkët qeveritar Stevo Pendarovski fiton Republika e Maqedonisë së Veriut, NATO dhe Bashkimi Evropian.

“Ne kemi detyrime që të përshpejtojmë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda pesë viteve edhe atë duke qenë të suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, sundimit të së drejtës, reformat të mirëfillta në të gjitha sferat deri tek administrata publike dhe ajo shtetërore,” ka thënë ai, raporton KP.

Shefi i shtabit zgjedhor për zgjedhjet presidenciale, Izet Mexhiti para banorëve të Bogovinës dhe fshatrave që gravitojnë në këtë Komunë potencoi se gjatë kësaj jave të fushatës është bërë më e qartë ideja e kandidatit konsensual për president shteti.

“Ashtu siç frymon shqip parlamenti, frymon shqip, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duam që edhe presidenca të jetë në frymën e njëjtë, pasi duam që të kemi një president që të ndihmojë proceset euro-integruese dhe jo siç është presidenti i tanishëm Ivanov. Bëjmë thirrje që të komunikohet me qytetarët me qëllim që të zbërthehet ideja e presidentit konsensual, të zbërthehet ideja se nuk jemi të interesuar vetëm për të marr pjesë, për ta djegur dikë politikisht por thjesht jemi të interesuar që të lëviz vendi drejt NATO-s dhe BE”, ka deklaruar Mexhiti.

Stevo Pendarovski si kandidat i përbashkët qeveritar për president, në fletëvotim do të garojë me logon e LSDM-së. Gordana Siljanovska do të garojë me logon e VMRO-DPMNE-së, ndërsa Blerim Reka do të garojë me logon e tij, ku të bashkangjitura do të jenë edhe logot e Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes Besa, të dy partitë që e përkrahin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat