ASH reagon: Mbyllja e spitaleve publike hap i rrezikshëm i qeverisë

Maqedonia

ASH reagon: Mbyllja e spitaleve publike hap i rrezikshëm i qeverisë

Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:34
Aleanca për Shqiptarët

Paralajmërimi i ministrit Filipçe për mbylljen e dhjetëra spitaleve publike shkaktoi huti dhe panik ndër pacientë e sidomos te ata që jetojnë në vendbanime të vogla. Kjo ide nuk mund të komentohet ndryshe përveç se bëhet fjalë për vazhdimësi të politikave destruktive në shëndetësinë publike që u shkaktuan nga ish ministri Todorov dhe qeveria e atëhershme.

Nëse Maqedonia Veriore deklarohet se është shtet social dhe LSDM-ja parti e majtë atëherë privatizimi i shëndetësisë publike dhe aplikimi i partneritetit publiko privat pa analiza të thella, pa transparencë dhe pa debat publik na detyron të dyshojmë se bëhet fjalë për tentim për të shkatërruar atë që prindërit tanë e kanë financuar me dekada në llogari të pasurimit të individëve apo grupeve që profitin e kanë qëllim kryesor në llogari të shëndetit të qytetarit të zakonshëm, si psh. privatizimi parcial i hemodijalizës që rriti çmimin e seancave për trajtim që ngarkoi fondin shëndetësor duke harxhuar miliona euro që mbaruan në llogari të ideatorëve të këtij projekti të dëmshëm dhe të rrezikshëm si dhe projekti më i ri i kardiokirurgjisë pediatrike për të cilën u harxhuan shumë mjete por pa rezultate konkrete.

Aleanca për Shqiptarët disa herë ka reaguar dhe ka kundërshtuar këtë model të partneritetit publiko privat në shëndetësi sepse spitalet nuk janë plazhe e as parkingje, por vende ku prevenohet dhe ruhet gjëja më e shenjtë, shëndeti i popullatës. Në anën tjetër, partneritetin publiko privat në institucionet shëndetësore publike kanë filluar ta braktisin në SHBA, por edhe në disa shtete të BE-së ku tendenca është që shërbimet shëndetësore të jenë falas për të gjitha shtresat e jo sipas thellësisë të xhepit, deklaratë kjo skandaloze nga ministri Filipçe.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që urgjentisht të ndërpritet ky projekt i rrezikshëm, të hapet debat transparent ku do marrin pjesë të gjithë subjektet e interesuara si dhe sektori joqeveritar dhe ai profesional. Poashtu kërkojmë reformë urgjente e fondit shëndetësor dhe kthimi i këtij institucioni në kuadër të Ministrisë të shëndetësisë dhe inkorporim i Pakos 10 nga Departamenti i shëndetësisë të ASH-së që sado pak të zbus emigrimin e mjekëve dhe personelit shëndetësor dhe kthimin e besimit te popullata e pambrojtur.

Aleanca për Shqiptarët

Departamenti i Shëndetësisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat