Komisioni për Antikorrupsion do ta njoftojë Prokurorinë për subvencionet e Bashkisë së Shkupit për biçikletat

Maqedonia

Komisioni për Antikorrupsion do ta njoftojë Prokurorinë për subvencionet e Bashkisë së Shkupit për biçikletat

Më: 10 prill 2019 Në ora: 14:37
Komisioni për Antikorrupsion

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do ta njoftojë Prokurorinë Publike se Bashkia e Shkupit ka shpallur konkurs për subvencionimin e biçikletave pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale. Anëtarët e Komisionit njëzëri votoi që të refuzohet ankesa e VMRO-DPMNE-së pasi nuk janë paguar mjetet, por Nuri Bajrami tha se ka lëshime në pajtim me parimin e sundimit të së drejtës, pasi askund nuk është theksuar se pagesa e subvencioneve do të bëhet pas zgjedhjeve.

Ankesë të ngjashme kundër Bashkisë së Shkupit nga VMRO-DPMNE kanë dorëzuar edhe për subvencionet për interier klimatik, por edhe kjo ankesë është refuzuar si e pabazë, pasi Komisioni nuk ka konfirmuar shkelje të Kodit Zgjedhor, në bazë të asaj që është dorëzuar ankesa.

Kryetari i Shkupit Petre Shilegov, i cili ishte i pranishëm në seancë, tha se kanë qenë të vetëdijshëm se me shpalljen e thirrjes publike do të futen në procesin zgjedhor, por tha se publikisht kanë deklaruar se pagesa do të bëhet pas zgjedhjeve. Shilegov tha se ankesat janë politike, e jo juridike, pasi për shpalljen e thirrjes publike kanë votuar edhe këshilltarët e VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, në seancën e sotme Komisioni për Antikorrupsion ka shqyrtuar gjithsej 9 ankesa për keqpërdorime të mundshme në fushatën zgjedhore, të gjitha të dorëzuara nga VMRO-DPMNE. Ankesa e vetme e cila u pranua ishte për keqpërdorimin e zyrave të ndërtesës komunale në Shuto Orizare, për mbajtjen e konferencës për mbështetje të kandidatit Stevo Pendarovski.

Për këtë ankesë Komisioni kërkoi kohë më të gjatë që të konfirmojë gjendjen faktike, pasi nga komuna kanë thënë se ndërtesa shfrytëzohet edhe nga subjekte afariste, për të cilat komuna nuk ka ingerenca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat