50 metra truall i breg liqenit të Dibrës dhe detyrimet e kryetarit për objektet ilegale

Maqedonia

50 metra truall i breg liqenit të Dibrës dhe detyrimet e kryetarit për objektet ilegale

Nga: Alpin Ollogu Më: 13 prill 2019 Në ora: 15:46
Alpin Ollogu

Në debatet televizive të kandidatëve për të parin e Dibrës, zgjedhje këto që do mbahen më 21 Prill, zotëri Hekuran Duka nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe zotëri Arben Agolli nga Aleanca për Shqiptarët, ndër të tjerash u pyeten nga gazetarët dhe shpalosën planprogramin e tyre në lidhje me çështjen problematike dhe të ndjeshme të ndërtimeve të egra buzë liqenit.

Si ushtrues detyre i kryetarit të komunës Dibër dhe njëkohësisht kandidat për këtë post, zotëri Duka në lidhje me platformën në qasjen e problematikës së bregut të liqenit, deklaroi në emisionin debativ >Click plus<, se: “Objektet të cilat janë ndërtuar rreth liqenit, janë objekte ilegale, ka disa, dhe disa janë në procedurë në prokurorinë e Gostivarit, dhe ato do të marin atë që meritojnë. Unë si kryetar i ardhshëm do të jem shumë rigoroz në zbulimin nëpërmjet inspektoriatit të ndërtimit – urbanizimit, të angazhojë që në mënyrë të efektshme të zbulojë ndërtimet e egra, dhe të gjitha të futen në rregullat ligjore siç parashihet“.

Kandidati Duka fillimisht pranoi se ekzistojnë objekte ilegale, duke theksuar se ka vetëm disa objekte ilegale (në fakt shumica janë ilegale), të cilat do të marrin përfundimin ligjor si rrjedhojë e procedurës penale që zhvillohet në prokurorinë e Gostivarit, duke lënë të nënkuptohet prishja e tyre konform Ligjit për Ndërtim, të parashikuar në nenin 99, 100 dhe 101. Tani besoj shtrohet pyetja logjike e popullatës se si ka mundësi në të njejtin territor me kushte të njëjta ligjore, një objekt qenka legal, dhe ai duhet të qëndrojë brenda distancës së mbrojtur ligjore të 50 metrave, dhe tjetri ilegal, po në distancën brenda 50 metrave – të prishet. Kur trajtimi i objekteve në distancën e mbrojtur ligjorë të breg-liqeneve, duhet të vlejë për të gjithë njëlloj. Sepse në të nesërmen kur të bëhet plani urbanistik dhe të planifikohet shfrytëzimi adekuat i vijës së breg liqenit në distancë të 50 metrave nga pika maskimale e nivelit të ujit, logjikisht duhet të mos ketë pengesë nga asnjë objekt tjetër brenda kësaj hapësire të mbrojtur.

Nga kjo lind detyrimi i kryetarit të komunës në përputhje me kompetencat qe i jep ligji, të bëjë revizion të vendimeve të legalizimit në territorin ku komuna ushtron kompetencen e vetë, në zonën e mbrojtur me ligj të bregut të liqenit, për atë se: Si janë dhënë ato legalizime?! A janë ato në kundërshtim me ligjin?! E nëse janë dhënë në kundërshtim me ligjin, atëherë ligji ka paraparë procedimin e mëtejshëm të gjithë atyre që kanë shkelur detyrën zyrtare dhe kanë vepruar kundërligjshëm, ashtu si përfundimi i çdo objekti ilegal për të cilat flet kandidati. Kështu legalizimet shfuqizohen duke marrë statusin dhe fatin e objekteve të paligjshme; kompensohen pronarët e objekteve të legalizuara të cilëve ju largohet objekti, dhe njëkohësisht kërkohet dëmshpërblim material nga organi kompetent - shkelës i interesit publik, konkretisht pushtetit lokal i cili shkel me të dy këmbët Ligjin për Veteqeverisje Lokale; Ligjin për Ndërtim; Ligjin për Ujërat; Ligjin për Mbrojten e Natyrës; Ligjin për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara pa Leje, bashkë me përgjegjësinë thelbësore të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e cila manipulon dhe keqintepreton nenin 18, pika 1, të ligjit për trajtimin e objekteve të ndërtuara pa leje, kur ka dhënë pëlqimin për legalizim e objekteve brenda distancës së truallit prej 50 metrash (nga kuota maksimale e ujit), me status të zonave të mbrojtur ligjore, ashtu si bregu i liqenit të Dibrës.

Ёshtë e rëndësishme të theksojmë se Ministria përkatesë dhe disa pushtete lokale kanë abuzuar dhe abuzojnë - keqintepretojnë miratimin e projektligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara pa Leje, projektligj ky që u propozua nga katër deputetët e VMRO-së në vitin 2015 dhe që u miratua me procedurë të përshpejtur në parlament. I konsideruar nga ambientalistët dhe ekspertët, si një ligj kriminal i qeverisë së atëhershme, me të cilën legalizoshin shtëpi të vjetra të banimit, të cilat kanë ekzistuar prej shumë vitesh brenda distancës së mbrojtur ligjore prej 50 metrave. Theksojmë, se vetëm për objekte të banimit, me çka banorët si kusht legalizimi kanë detyrimin e nënshkrimit të një kontratë të noterizuar për marrjen përsipër të pasojave të mundshme, meqë shtëpite e tyre gjendeshin brenda hapësirës së 50 metrave nga kuota maksimale e ujit. Por që ligji në fjalë nuk ka të bëjë me bregun e liqenit të Dibrës, por vetëm për Ohrin dhe disa breg-liqene të tjera natyrore ku ka pasur objekte banimi prej shumë vitesh, 30 apo 50 vitesh.

Megjithatë, edhe ky ligj i ndryshuar me kërkesën e deputetëve të VMRO-së, ska të bëje me liqenin e Dibrës, por që është abuzuar me të në lidhje me legalizimet. Ambientalistët dhe ekspertët e fushës e kundërshtuan ashpër, me pretendimet se kjo bëhet për interesa të njerëzve të lidhur me pushtetin dhe pronarët e objekteve të paligjshme që i shfrytëzonin ato për hotele dhe veprimtari të tjera profitabile. Kujtojmë deklaratat e Dr. Trajco Talevskit nga Insituti Hidrobiologjik i Ohrit, i cili thotë: “Ky është një pretendim klasik i disa pronarëve që kanë ndërtuar objekte në mënyrë të paligjshme. Kjo nuk është një fletë akulli ku çdo gjë lejohet. Kjo është e mbrojtur në mënyrë rigoroze zonë ku ne duhet të bëjmë atë që duam”. Talevski kujton se: “në Shqipërinë fqinje (në qeverisjen Rama) nga Tushemishti deri në Pogradec, të gjitha ndërtesat që ndodheshin në një sipërfaqe prej 50 metra nga bregu i liqenit, janë shkatërruar, dhe jo vetëm ato të cilat janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, por edhe ato që kanë pasur leje ndërtimi, por ishin brenda ketij zonës së mbrojtur prej 50 metrash. Shqipëria do të zgjidhë problemin e ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur, ndërsa ne i legalizojmë. Nuk e di se si do të reagojë UNESCO për këtë vendim” - thotë Talevski.

Detyrimi i kryetarit të Komunës është të mbrojë interesin publik konform ligjeve përkatëse dhe autorizimeve të tij, ndërsa procedimet e prokurorisë janë çështje të pavarura për përgjegjësitë penale, janë të pavaruara me punën e komunës dhe obligimet që ka pushteti lokal konform dispozitave ligjore. Vepron apo nuk vepron prokuroria, ka inicuar ndonjë institucion tjetër paraqitje penale për shkelje të ligjit, pushteti lokal nuk obligohet dhe nuk shfajesohet nëse nuk vepron, por në mënyrë autonome vepron në përputhje me Ligjin për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara pa Leje, në mbrojte të interesin publik, atë interes për të cilën kryetarët zotohet në fushata elektorale. Në këtë mënyrë vendoset standarti i udhëheqjes për të mbyllur në të ardhmen dyert e abuzimit të çdokujt që merr përgjegjësi zyrtare. Gjithmonë në qëllimin final të mirëqenies së përgjithshme, mbrojtjes së interesit publik.

Tragjiko-komike nga programi dhe deklarata e kandidatit për kryetar komune, në lidhje me këtë çështje, është padyshim ai i kandidatit Agolli, i cili po ashtu në emisionin televiziv >Click Plus<, deklaroi: “Ka një standart, për arsye së për tu ndërtuar në bregun e liqenit, ligji e jep të domosdoshme 50 metra mbi nivelin (maksimal) të ujit. Një pjesë e atyre objekteve janë ndër këtë prag të largësisë së domosdoshme. Unë jam i mendimit dhe mendoj se në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit edhe Ekologjisë, ne do të kërkojmë që ky prag prej 50 metrash, të ulët në 20 metra, për arsye se është e paimagjinueshme që ato objekte të shkatërrohen… Ne do të bëjmë plan detal urbanistik për pjesën e liqenit ku do të mundohemi të gjejmë mënyrën se si ti përfshimë këto objekte në planin detal urbanistik, për arsye se unë them se pjesa e liqenit është shumë pjesë strategjike për zhvillim”. Këto deklarata të kandidatit Agolli janë diametralisht të kundërta me gjithë moralin e çështjes. Ato bien ndesh me dispozitat ligjore vendase dhe konventat ndërkombëtare për ujërat, në të cilat është nënshkruese edhe Maqedonia e Veriut. Bien ndesh me interesin e përgjithshëm dhe gjithë propagandën opozitare të Aleancës për Shqiptarët – dega Dibër, nën trumbetimin dhe akuzat e vazhdueshme ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, për paligjshmëritë në vijën e mbrojtur ligjore të bregut të liqenit. Zotëri Agolli me këtë pikë të programit bëri gabimin trashanik, me të cilën ai na la të kuptojmë se standarti i tij në zgjidhjen e problematikave te Dibrës, është figurativisht si standarti i shëronjësit, doktor Adhamudhit në komedinë “Pas vdekjes”, të Andon Zako Cajupit: “të dhemb njëri sy, hiqe, të shpëtosh tjetrin”, të dhemb njëra dorë, prije, të shpëtosh tjetrën”. Më këtë logjikë shumë lehtë kandidati në fjalë mund të zgjidhë edhe çështjen e deponisë. Ti kërkojë qeverisë që territorin ku janë mbeturinat e deponuara, ta shkëpusë nga kompetencat - territori i komunës së Dibrës, kështu do zgjidhej puna dhe s’do të kishte me problem ti kërkohej kryetarit të zgjidhë çështjen e deponisë së egër. Pavarësisht pasojave, vetëm të zgjidhej në aspektin formalo ligjor.

Kandidati Agolli dëshiron të rregullojë brequn e liqenit me legalizimet e objekteve aktuale duke i përfshirë në planin e tij urbanistik, nepërmjet uljes së distancës aktuale ligjore të 50 metrave, në programin e tij në 20 metra truall të mbrojtur, dhe atë duke e kërkuar këtë nga Ministria e Turizmit dhe Ekologjisë. Ndërsa këtë ndryshim të largësisë së mbrojtur ta bëjë qeveria, e jo parlamenti (i cili në fakt është kompetenti i vëtëm për shfuqizim, ndryshim dhe plotësim ligjesh). Me keqardhje konstatojmë se kjo dëshirë, program apo platformë partiake është krejtësisht e dëmshme për interesat e qytetit të Dibrës. Ngase të mundësosh legalizim në distancë të 20 metrave nga kuota maksimale e ujit, nuk e di si kuptohet ndryshe, pos llogari me votat dhe mbështetja e gjithanshme e pronarëve të objekteve të kontestuara, si dhe mosaftësi dhe guxim në përballjen me vështirësitë e largimit të këtyre objekteve nga zona e mbrojtur ligjore. Do të thotë të mundësosh shkatërrimin e metëjshëm të gjithë vijës së mbrojtur të truallit në ujërat e lumejve dhe liqenit në qytetin e Dibrës. Kjo është të dalësh në kundërshtim flagrant me logjikën e Ligjit për Ujërat, i cili në neni 50 thotë: “Truall i buzë bregut është brezi prej 50 metrash truall, i larguar nga kufiri nëpër të cilin ka rrjedha ujore të përhershme apo stinore, lumenj, liqene ose burime”. Edhe reagimi kandidatit Duka kundrejt për projektit apo “vizionit të Agollit”, ishte mëse i drejtë, duke i reguar se: “largësia prej 50 metrave nga kuota maksimale e ujit, është distancë shkencërisht e vërtetuar, ajo nuk mund të preket, pasi kjo nuk mund të bëhet si të na pëlqejë.”

Kandidati Agolli jo vetëm që nuk reflektoi nga deklaratat në emisionin e parë debativ për këtë problematikë, por këtë këmbënguljen tijë për të qëndruar në deklaratat e uljes në 20 metra si zonë e mbrojtur, nga 50 metra që është ligjërisht, e përforcoi edhe në debatin pasues televiziv në emisionin >Arti i financës<, ku deklaroi: “Duhet njëherë e përgjithmonë të kuptojnë njerëzit se nuk lejohet më prishja e bregut të liqenit me objekte pa leje. Domethënë do ta përgatisim një plan urbanistik për pjesën e liqenit, dhe aty parashohim të krijohen kapacitete hotelerike, për arsye se kur Rruga e Arbërit të bëhet eficiente, ne do të kemi shumë vizitorë, do të kenë ata njerës ku të pushojnë dhe të rekreoen. Mbetet problemi i objekteve që janë momentalisht të ndërtuara përreth liqenit të Dibrës. Ne si ekip kemi marrë iniciativën që ato objekte të cilat, disa të legalizuara dhe disa të pa legalizuara, me planin detal urbanistik që do ta bëjmë, të mundemi ti fusim në plan detal urbanistik. Dhe ata që paraqesin zhvillim ekonomik dhe turistik, do legalizohen, dhe ata që paraqesin katrahura të thjeshta, normal që do ti heqim. Ka qenë një iniciative e të ndjerit Lata që distanca e ndërtimit nga niveli më i lartë i kuotës, nga 50 metra të zbritet në 20 metra. Edhe ne insistojmë në të njejtën distancë, për arsye se është e pamundur të zgjidhet problemi. Se kur flasim për këtë problemin e bregut të liqenit, duhet të keni parasysh se nëse këmbëngulet në distancën e 50 metrave nga kuota maksimale e liqenit të Dibrës, atëherë vijnë në pyetje për derdhje restoranti tradicional i “Camave” në Dibër, vije në pyetje hoteli “Termal”, vie në pyetje hoteli ke “Dukas kompani”, vie ne pyetje restorani “Besa” tek lumi Radika, se të gjitha janë nën kuotën e 50 metrave. Prandaj që të mos shkaktojmë një dëm të dytë këtyre objekteve, edhe atyre që aktualisht janë, ne do të insitojmë që ta ulim këtë kuotë nga 50 metra në 20 metra, në bashkëpunim me Ministrinë e ambientit. Edhe njëherë e përgjithmone ti japim fund ndërtimeve pa leje në bregun e liqenit.” Kundër kandidati Duka poashtu në emision, përsëri reagon kundër këtyre deklaratave kontradiktore dhe të palogjikshme të kandidatit Agolli, i reagon në një mënyre të drejtë dhe konform ligjit: “Dëshirat janë një pjesë ndërsa si do ti realizojmë është pjesë tjetër. Nuk duhet ne të dalim jashtë suazave ligjore. Ligji thotë 50 metra nga bregu i liqenit. Ekspertët e kanë paraparë se me ju pru në 20 metro liqenin, aty do të ketë problem”. Ndërsa Agolli përsëri edhe mbas disa ditesh nga emisioni i parë, vazhdon me përsëritjen e gafës se sjelljes së ligjeve:“ Ligjin e bën qeveria, nuk e bën parlamenti. Qeveria sipas interesave të veta edhe ligjin e ndërron. Eshtë tjetër ligji që biet në parlament me shumicë votash. Ligji që bie qeveria ndërrrohet me vullnet të qeverisë, nuk duhet shumë punë për atë”.

Edhe në debatin e dytë televiziv të kandidatit Agolli, në kontekst të çështjes së liqenit, qasjet e tij ngado që ti analizosh janë të gabuara. Në emisionin e parë deklaroi që do të legalizohen të gjitha objektet aktuale në kuotën e 20 metrave, pastaj në debatin e dytë televiziv, deklaroi se jo të gjitha do legalizohen, por vetëm ata objekte që paraqesin zhvillim turistik. Thua tani se komuna apo kryetari vendos sipas dëshirave dhe pikëpamjeve personale se kush i përmbush kushtet e legalizimit, dhe jo ligji. Pastaj deklarata tjetër për atë se kuota e 20 metrave mundohet të arsyetohet me ndonjë iniciativë që paska pasur i ndjeri kryetar i mëparshëm Ruzhdi Lata, për ta ulur kuotën nga 50 në 20 metra, që dorën në zemër iniciativë të tillë nuk e kemi dëgjuar publikisht asnjëherë, në parlament, organ partie, në ndonjë fushata elektorale apo dalje publike. Sepse bisedat private dhe diskutimet e lira mes miqsh dhe kolegësh, nuk konsiderohen iniciativë por diskutime. Dhe nëse supozojme se ka pasur ndonjë iniciativë të tillë insitucionale nga i ndjeri, kjo sdo të thote së është inicitive për tu marrë shembull dhe futur në plan-program partie.

Arsyetimi për ndryshimin e distancës në 20 metra, duke e lidhur në lidhje fatin“tragjik”të objekteve afariste të lartëshënuara, është arsyetim joserioz për një kandidat dhe parti që dëshiron të udhëheqë qytetin. Sipas tij, ju bëheshkan objekteve ilegale një dëm i dytë, e se ku qenka dëmi i parë i tyre, ate sna e tregoi. Kur një fakt dihet, se objektet ilegale skanë pasur asnjë dëm institucional deri tani, ato vetëm mund të kenë bërë dëme dhe mund të kenë shfrytëzuar të mira materiale me abuzimin e së mirës publikë, por që tju jetë bërë atyre dëm, asesi. Kandidati Agolli nuk ka as informacionin se vendi ku gjendet objekti “ Termal”, është burimi natyror i ujërave termomineralë, i mbrojtur me ligj edhe para se të ndërtohet liqeni i Dibrës, pasi ai është objekt i burimit natyror të ujërave termomineral, e mirë e përgjithshme, me çka paguhet koncesion dhe mbrohet me ligje speciale. Ndërsa për objektet e tjera të mundshme rreth “Termalit” që mund të janë shtuar më vonë, dhe që bien ndesh me kuotën prej 50 metrave, sigurisht do të kenë fatin e njejtë si objektet e tjera ilegale, nën këte kuotë të mbrojtur ligjore. Gjithmonë në interesin madhor të dobisë shoqërore.

Nëse për kandidatin Agolli, qenka e paimagjinueshme cënimi i interesave të disa personave që kanë ndërtuar objekte të paligjshmë apo që duhet ti nënshtrohen ligjit, kundrejt interesave të një popullate dhe gjeneratave pasuese, atëherë kjo është shumë negative për një kandidat dhe parti opozitare që kërkon të udhëheqë me fatin e një qyteti, por që bie në kundërthënie me propagandimet e vazhdueshme ndër vite për çështjen e liqenit. Përsa i përket shqetesimit për ata që kanë shpenzuar në ndërtimin e objekteve ekzistuese, dhe që duhet t`ju prishen objektet konform ligjit, kryetari i komunës mund ti konsultojë prej zyrtari serioz dhe të sinqertë, me një metodologji barazie për të gjithë. T`ju sqarojë problematikën, përfitimet dhe humbjet e qytetit për vijën e mbrojtur të breg-liqenit, që edhe ata të binden dhe kontribuojnë në të mirën e përgjithshme për Dibrën dhe më gjerë. Të konsultohen ata që duhet të dëmshpërblehen, por edhe ata të cilët objektet i kanë ilegale, e që autoritetet nuk i kanë ndaluar në kohë ndërtimin e objekteve, janë futur ndoshta në lajthitje. Edhe këtyre t`ju mundësohet që në planin urbanistik të ndërtimit mbi kuotën 50 metra, t`ju rezervohet një lloj përparësie në ndërtimin e objekteve të reja, si dhe mund të kenë lehtësira të caktuara tatimore. Vetëm në këtë mënyrë një kryetar mund të shërbejë për të gjithë, por që gjithmonë interesi primar është interesi publik, interesi i respektimit të standarteve ligjore, dhe asesi e kundërta.

I kujtojmë Agollit dhe ekspertëve të tij, se distanca prej 50 metrave nga kuota maksimale e ujit, është kryekëput për të mirën e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e popullatës. Ngase ligji në distancën e 50 metrave, ka parashikuar evitimin e rreziqeve të objekteve – pronës së qytetarëve; mbrojten e ambientit; mundësinë e funksionimit të lirshëm të komunikacionit rrugor dhe stazave te ndryshme për këmbësorë brenda këtyre 50 metrave të vijës së mbrojtur – truallit të breg-liqenit; mospengimin e vazhdushëm gjatë gjithë muajve të vitit për rekreacione dhe nevoja të turistëve dhe mbarë popullatës së Dibres në këtë vijë të mbrojtur të breg-liqenit. Kështu mundësohet turizmi i mirëfilltë dhe shfrytëzimi normal i liqenit. E jo si ne gjendjen aktuale apo në projektin e 20 metrave që kërkon ta bejë zotëri Agolli, ku sdo të kishte hapësirë komunikaci të makinave në sherbim të mjeteve lundruese apo të nevoja të ndryshme qytetare; rrugë për kalimtarë; hapësira të plazhit (distancë të duhur mes pushuesve dhe vilave private apo objekteve afariste), ashtu siç është aktualisht, ku në shumicën e muajve te vitit, njerëzve ju pamundesohet të levizin qoftë edhe në këmbë, dhe jo më me mjete motorike, sepse niveli i ujit shkon deri në muret e objekteve të ndërtuara, atyre legale dhe ilegale.

Pretendimet dhe planet e këtilla të Agollit për bregun e liqenit, bien ndesh edhe me propagandimin e programit e partisë së tij për të zhvilluar ekonomikisht Dibrën. Ku siç thote vetë ai, se me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, andej dhe këndej kufirit, ka mundësi për tu shtuar ndjeshëm fluksi i turistëve që do të gjalleronin ekonominë e qytetit. Prandaj, për të gjitha këto argumente ligjore dhe logjikës së të mirës së përgjithshme, por edhe dëshirës së Agollit për të bërë mirë për Dibrën dhe dibranët, duhet të rishikojë qëndrimet për këtë çështje, pasi fushata ka edhe disa ditë para se të përfundojë. Të rishikojë qëndrimet, jo se ka shancë logjike që ndonjë parlament të miratojë ligj të tillw, por të twrhiqet dhe mos arsyetohet në të ardhmen e mundeshme si kryetar, per lejimin dhe vazhdimin e shkatërrimit të mëtejshëm të bregut të liqenit, me projektin e 20 metrave tw “famshme”. Kjo është esenca e kësaj çështje. Gabime bëhen, me apo pa qëllim, por tragjike është të këmbëngulësh në gabime.

Kritikat nuk duhet të merren personalisht, por në qëllimin e përceptimit sa me të mirë të gjërave, qoftë në nivel individual apo partiak. Para disa kohësh në një shkrim të ngjashëm kam kritikuar të ndjerin Rruzhdi Lata në lidhje me qasjen ndaj problematikës së liqenit, dhe ai këtë nuk e kuptoi personale, por e kupti si kundërshtim në përceptimin dhe qasjen e gjërave. E them se nuk e kuptoi personale ngase disa ditë pas shkrimit, ai në mënyrë të harmonishme mua dhe disa shokeve të mi, na u bashkangjit për të pirë kafe dhe diskutuar diçka krejt ndryshe që skishte të bëjë me shkrimin kritik, duke e lenë të kuptohet se opinioni publik, kritika dhe qasja ndryshe e gjërave, ndihmon në dialektikën që ka për qëllim të nxjerrë më të mirën e mundshme. Në këtë drejtim, kërkoj mirëkuptim edhe nga kandidatët në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat