Gashi nga Tetova godet opozitën: Jo premtime boshe dhe folklorizma

Maqedonia

Gashi nga Tetova godet opozitën: Jo premtime boshe dhe folklorizma

Më: 14 prill 2019 Në ora: 13:11
Afrim Gashi

Pas ribrendimit të partisë dhe në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, sonte AlternAtivA pati një tubim të madh në Tetovë, ku në praninë e shumë aktivistëve dhe mbështetësve të saj, u fol për faqen e re politike të partisë, si dhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua u.d. kryetari i degës së Tetovës nga Alternativa, doktori i mirënjohur tetovar, Hysni Ismaili, i cili tha: “Pas çarjes dhe lëkundjeve brenda partiake, ne arritëm që për një periudhë të shkurtër kohore të konsolidojmë mbi 15 nëndegë në nivel të degës, duke rreshtuar pas vetes shumë profesorë, intelektualë dhe profesionistë që vazhdojnë t’i besojnë idesë politike të Alternativës.

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Skender Rexhepi – Zejdi, para tetovarëve itha këto fjalë: “Sot jeni para vendimit historik – ose jeni në anën e SHBA-ve dhe Europës ose jeni në anën e Rusisë dhe Serbisë kundër shqiptarëve. Ne sot po dëshmojmë shembullin më të mirë të qeverisjes transparente me ministrin tonë, Asaf Ademi, që është shembulli më i mirë i qeverisjes transparente”, tha Rexhepi. Ai shtoi se: “Zgjedhjet e 21 prillit do të dëshmojnë se ne do të dalim faqebardhë”, ka përfunduar Skender Rexhepi-Zejdi.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, në fjalimin e tij para qytetarëve tetovarë, tha: “I keni dy opsione para vetes: e para është të përkrahim gjithë së bashku kandidatin që përshpejton proceset integruese të vendit në NATO dhe BE dhe opsionin i dytë: kandidat që bllokon këto procese integruese. Ju ftoj që më 21 prill të dalim dhe masovikisht të votojmë opsionin europian, opsionin që denjësisht do të na përfaqësojë në proceset integruese”, përfundoi Asaf Ademi.

I fundit para të pranishmëve fjalë rasti kishte kryetari i partisë politike “ Alternativa”, Afrim Gashi, i cili para shumë aktivistëve në Tetovë, fjalimin e filloi duke thënë: “Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë dhe nuk do të jetë, por mos harroni kjo rrugë është e vetmja rrugë që sjell mirëqenie, stabilitet, siguri, por ne kemi vendosur që ta përkrahim konceptin që është anëtarësim në NATO dhe dhe BE”, tha Gashi.

Ai më tej vazhdoi duke theksuar se: “Patriotizmi më i lartë sot në Maqedoni është që një i ri të mos e braktis vatrën e tij. Nëse duam që të rinjtë mos të ikin nga vendi, nuk duhet të japim premtime boshe dhe të flasim folklorizma, sepse nëse dështojnë zgjedhjet presidenciale, ne mbesim para bllokimit dhe izolimeve politike”, ka theksuar Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat