Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, KSHZ po bën përgatitjet e fundit

Maqedonia

Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, KSHZ po bën përgatitjet e fundit

Më: 16 prill 2019 Në ora: 08:45
Foto ilustrim

Po bëhen përgatitjet e fundit për votimin e 21 prillit dhe të personave të cilët do të votojnë një ditë përpara në Maqedoninë e Veriut. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është duke shpërndarë materialin jo të besueshëm zgjedhor ndërkohë që së shpejti, në Komisionet Komunale Zgjedhore do të shpërndahen edhe materialet më të rëndësishme.

“Sa i takon materialit të besueshëm zgjedhor, atë material e distribuon Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe kjo do të bëhet më 17 prill, të gjithë komisionet komunale do të fitojnë materialin e besueshëm zgjedhor, gjegjësisht materialin tjetër të nevojshëm”, deklaroi Admir Shabani nga KSHZ.

Në KSHZ, të mërkurën do të votojnë anëtarët e këshillave zgjedhor që do të shpërndahen në njësitë konsullore diplomatike për të zbatuar votimin në diasporë ku të drejtë vote kanë fituar 1781 votues në 32 përfaqësi konsullore dhe diplomatike. Ndërkohë që së shpejti, KSHZ-ja do të vendosë se sa nga personat e sëmurë dhe të paaftë që janë paraqitur për të votuar në shtëpi, do ta fitojnë këtë të drejtë.

“Presim që brenda ditës së sotme ta konfirmojmë edhe numrin e përgjithshëm të këtyre personave. Sapo të konfirmohet ky numër do të rrjedhë edhe afati tjetër plotësues për personat të cilët votojnë një ditë para, ato janë personat të cilët gjenden në burgim shtëpiak dhe ky afat përfundon më 17 prill, gjegjësisht është afati i fundit kur këto persona duhet të dërgojnë kërkesë ose njoftim deri te Komisionet Komunale të Zgjedhjeve”, vijoi Shabani.

Nga gjithsej 3480 vendvotime, në këtë cikël nuk do të votohet në 82 prej tyre për shkak se numërojnë më pak se 10 votues të regjistruar. Votuesit e këtyre vendvotimeve do të drejtohen në vendvotimin më të afërt. Të drejtë vote në vend kanë gjithsej 1.808.131 qytetar. Prej tyre 1 726 696 do të votojnë në ditën e zgjedhjeve kurse të tjerët janë në anekse të posaçme dhe mund të votojnë një ditë përpara. Për arritjen e censusit prej 40% në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të duhet të votojnë të paktën 723.252 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat