Thaçi: S’ka shanse që një shqiptar të bëhet president i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Thaçi: S’ka shanse që një shqiptar të bëhet president i Maqedonisë së Veriut

Më: 16 prill 2019 Në ora: 22:56
Menduh Thaçi

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi, ka treguar arsyen pse partia e tij dhe BDI nuk e mbështesin kandidatin shqiptar, Blerim Reka, për president të ardhshëm.

Ai tha se sipas asaj që ka kuptuar nga ndërkombëtarët nuk ka shansa që një kandidat shqiptar ta ketë postin e presidentit.

“Kjo fjalë historike është banalizuar shumë. Mendoj se zgjedhjet presidenciale janë jetike për të ardhmen e Maqedonisë. Maqedonia është në një proces të rëndësishëm dhe hap vendimtar drejt rrumbullakësimit të anëtarësimit në NATO. Kur flet sot kjo duket e lehtë por jo për një njeri që është që 28 vjet me gjithë ato ndërhyrje nga jashtë nga faktorë të rëndësishëm siç është Rusia dhe të tjerë”, ka thënë Thaçi në Klan Kosova.

“Kjo është tepër e rëndësishme dhe nga profesioni i mjekut po e shpjegoj kështu; Maqedonia 30 vjet ka qenë në terapi intensive, si një pacient që gjithmonë e ka shëndetin kritik. Terapia e fundit, Marrëveshja e Prespës ajo për ndryshimin e emrit janë terapia më e fuqishme, por kjo ende s’ka përfunduar. Zgjedhjet presidenciale janë rrumbullakimi i terapisë që Maqedonia definitivisht të ketë një orientim drejt NATO-s dhe perëndimit”.

“Për ne shqiptarët sukses historik është beteja që e kemi pasur këto 28-9 vjet gjithmonë duke filluar nga aksioma e Arbën Xhaferit që tha se nuk mund të tolerojmë ngritjen e një shteti etnik. Maqedonasit e shekullit 21 në një vend ku ka afërsisht 40 për qind shqiptarë, vetë ndryshimi i emrit nga Maqedoni në Maqedoninë e Veriut nënkupton që tendenca e krijimit të shtetit etnik, të maqedonasve sllavë, është pas tanimë”.

“Presidenti i Maqedonisë nuk ka shumë kompetenca kushtetuese dhe ligjore, mirëpo me kushtetutë është komandant i forcave të armatosura. Procesi politik, votimi në parlament dhe ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësimin e plotë nëpër parlamentet e vendeve të NATO-s përfundon, vijnë çështjet e aspekteve administrative të ushtrisë ku presidenti do të ketë një rol të jashtëzakonshëm në nënshkrimin e këtyre proceseve dhe ne tani kemi një president që i refuzon këto”.

“Unë mendoj se për shqiptarët duhet të jetë shumë e rëndësishme kjo fitorja e parë që thashë. Ne nuk e kemi atë komoditet të sillemi me një ‘qallam’ shumë të madh sepse deri këtu kemi ardhur me ndihmën e madhe të SHBA-ve dhe BE-së”.

“Unë kam vërejt mesazhe të koduara dhe direkte të këtyre faktorëve, se këta janë shumë të interesuar Pendarovksi do të jetë president i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut”.

Thaçi ka thënë se që të fitojë një kandidat shqiptar duhet të ketë marrëveshje politike të koalicionit.

“Maksimalisht jam munduar të jem i kujdesshëm. Në rend të parë përmes matematikës nuk ka shanca teorike të fitojë një kandidat shqiptar. Mënyra për të fituar një kandidat shqiptar është përmes marrëveshjes politike me partnerët e qeverisjes, mundësisht vota për zgjedhjen e presidentit të bartet në parlament”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat