Ministrat e Kulturës, Ademi dhe Bogdanoviq, e hapën ekspozitën „Moda evropiane e oborrit malazez“

Maqedonia

Ministrat e Kulturës, Ademi dhe Bogdanoviq, e hapën ekspozitën „Moda evropiane e oborrit malazez“

Më: 18 prill 2019 Në ora: 15:09
Asaf Ademi

Në praninë e mysafirëve të shumtë, në mesin e të cilëve edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, përfaqësuesit e Qeverisë, ministri i Kulturës, Asaf Ademi, ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviq, sonte në Muzeun e Luftës Maqedonase solemnisht është hapur ekspozita „Moda evropiane e oborrit malazez – reflektime“.

Në këtë ekspozitë ekskluzive është shfaqur veshja solemne nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Malit të Zi, që ishte karakteristike për oborrin malazez në shekullin e 19-të dhe shekullin e 20-të, ndërsa prezantimi është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Malit të Zi në vendin tonë.

Ministri Ademi në fjalimin e vet theksoi se ekspozita është një shembull i bukur për bashkëpunimin e suksesshëm kulturor ndërmjet dy vendeve mike, që drejtpërdrejtë i përparon dhe i pasuron lidhjet kulturore në fushën e artit, historisë dhe muzeologjisë.
„Besoj se kjo ekspozitë do të jetë një provokim për opinionin shkencor dhe profesional këtu te ne, të cilët nëpërmjet qasjes së studimit të këtyre eksponateve do të kenë mundësinë t’u japin një interpretim të ri ngjarjeve dhe personaliteteve të njohura historike nga e kaluara, me çka do të tregojnë një interes të madh te vizitorët e muzeut në vend“, theksoi ministri i Kulturës, Ademi.

Ministri i Kulturës, Aleksandar Bogdanoviq, para të pranishmëve theksoi se ekspozita do të mundësojë një qasje në një segment më pak të njohur nga tradita dhe kultura malazeze. „Jam i sigurt se kjo ekspozitë paraqet një hap përpara në lidhjen kulturore të dy vendeve tona, nga miqësia e vërtetuar e së cilës rezultuan shembuj të shumtë të partneritetit dhe bashkëpunimit. Për këtë shkak, më vjen mirë që në Shkup prezantojmë një shfaqje e cila sipas shumë elementeve është unike, koncepti i së cilës është i fokusuar në përmbajtjet e së kaluarës sonë, në të cilat është përkushtuar një vëmendje më e vogël në vështrimet historiografike dhe artistike të trashëgimisë malazeze“, theksoi ministri i Kulturës i Malit të Zi, Bogdanoviq.

Drejtoresha e Muzeut të Luftës Maqedonase, Daniella Nikollova, theksoi se motivi themelor për realizimin e kësaj ekspozite është nëpërmjet një lidhjeje të ekspozitës së veshjeve, fotografive dhe sendeve, të ofrojmë një pamje të relaksuar të fakteve të njohura historike, për një eksperiencë të re të vizitorit të muzeut.

„Përmes shkëmbimit të përvojave dhe shkathtësive, nëpër punën e koordinuar dhe të bashkuar të punëtorëve nga të dyja muzetë, e krijuam një produkt të përbashkët kulturor, misioni parësor i të cilit është të na njoftojë dhe të na afrojë. Ekspozita Moda evropiane e oborrit malazez – reflektime i Muzeut Kombëtar të Malit të Zi e bën pikërisht këtë, duke i vendosur themelet për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e afërt të ideve dhe të mirave kulturore ndërmjet të dyja vendeve“, theksoi Nikollova. Për ekspozitën mori fjalë edhe Anastasia Miranoviq, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Malit të Zi, e cila u përqendrua në aspektet konkrete nga konceptimi i kësaj ekspozite të rëndësishme, si dhe për mundësitë për bashkëpunime dhe projekte të reja ndërmjet muzeve në të dyja vendet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat