Të dielën zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët tregojnë pritjet e tyre

Maqedonia

Të dielën zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët tregojnë pritjet e tyre

Më: 19 prill 2019 Në ora: 14:10
Shkup

Të dielën në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet për president. Atje po mbizotëron një atmosferë e qetë, ndonëse pritet të jetë një garë jo e lehtë. Shqiptarët atje, vlerësojnë se mungesa e unifikimit të tyre përbën fatkeqësinë më të madhe për ta.

Në mars të këtij viti shqiptarët e Tuzit dhanë shembullin se të bashkuar mund të fitojnë, por e njëjta nuk po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Blerim Reka, kandidati i parë shqiptar për president të këtij vendi, nuk po gëzon mbështetjen e të gjitha subjekteve politike shqiptare.

Kështu, BDI-ja po mbështet kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovskin. Kjo ka bërë që të lëkundet entuziazmi brenda elektoratit shqiptar në Maqedoni.

Megjithëkëtë, kandidati i pavarur  Blerim Reka tregohet optimist kur pyetet nëse do të ketë edhe votat e votuesve të BDI-së, ndonëse thekson se  kjo parti është kundër unifikimit të votës shqiptare.

Ai është optimist se përveç militantëve të BDI-së, edhe anëtarësia e këtij subjekti do të jenë në anën e duhur dhe do të votojnë atë për president të vendit.

Reka: BDI është kundër unifikimit të votës shqiptare

“Ajo që ndodhi në Tuz u përshëndet nga BDI-ja dhe nga lideri i saj, si shembull i bashkimit kombëtar. Po të njëjtën ditë BDI-ja tha: 'duhet të votohet kandidati maqedonas'. Me këtë do të thotë ata e demantuan veten. Janë për bashkim kombëtar politik në Tuz, për unifikimin e votave shqiptare, por janë kundër unifikimit të votës shqiptare dhe kundër kandidatit shqiptar në vendin ku ata janë në qeveri tash e 18 vite. Prandaj, unë llogaris po në shumicën e votave shqiptare, por nga përkrahja dhe entuziazmi që po e shoh edhe të komunitetit maqedonas, të cilët po e pranojnë konceptin tim 'për Republikë për të gjithë', llogaris se do të kem edhe votat e maqedonasve”, thotë Reka për KosovaPress.

E qytetarët shqiptarë, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, besojnë se Reka do të votohet në masë të konsiderueshme edhe nga maqedonasit. Por , vlerësojnë se nuk do të jetë një garë e lehtë.

Për Shqipe Ziberin, kandidatura e profesorit Blerim Reka për në krye të vendit është e vonuar.

Ziberi: Blerim Reka kandidati më i denjë për president

“Ka qenë koha e fundit që të paraqitet një kandidat i denjë sikurse është Blerim Reka për president. Besoj se të gjithë shqiptarët do ta votojnë, se janë të vetëdijshëm”, tha ajo.

E, Semir Pajaziti nga Shkupi, thotë se atmosfera që po mbretëron në vendin e tij, lë për të dëshiruar.

Pajaziti: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk po e ndjekin shembullin e shqiptarëve të Tuzit

“Mendoj se atmosfera për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, nuk është siç duhet të jetë. Arsyeja është se shqiptarët në vend se të bashkohen, janë përçarë rreth votës së tyre dhe ata që fillimisht i bashkuan shqiptarët, tash i përçajnë shqiptarët duke ndarë votën e tyre disa pro-shqiptarëve, disa përkrahin kandidatin maqedonas. Dhe, kjo mendoj që nuk është tu e marrë shembullin e Tuzit për bashkimin e shqiptarëve, por është shku me ndarjen e shqiptarëve”, tha ai.

Një qytetar tjetër, Qamuran Kërbliçi thotë se ai që ndjehet shqiptar duhet të votojë për Blerim Rekën president të Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, Reka nuk duhet të votohet vetëm pse është shqiptar, por edhe për shkak të bagazhit të tij intelektual.

Kërbliçi: Të gjithë shqiptarët duhet të votojnë për Blerim Rekën

“Normal që duhet me e votu kandidatin shqiptar, për arsye se është shqiptar. Ne jemi shqiptar, tu pas kandidat shqiptar, për çfarë arsye me e votu kandidatin maqedonas”, është shprehur ai.

Edhe profesori universitar, Bashkim Selmani e konsideron të dëmshëm faktin që faktori shqiptar nuk ka një unitet të përbashkët jo vetëm për rolin e presidentit por edhe shumë faktorë të tjerë.

Sipas tij, në aspektin politik, mos-kandidimi i shqiptarëve të Maqedonisë me një kandidat të vetëm përbën fatkeqësi në vete.

Selmani: Mungesa e unifikimit të shqiptarëve fatkeqësia më e madhe për ta

“Në aspektin politik, fatkeqësia e parë është se faktori politik shqiptar, pozitë dhe opozitë nuk gjetëm një mundësi që të jenë me një kandidat të vetëm dhe kjo do të çojë në dështim. Pjesa juridike, tash edhe kandidati z. Reka, sa i përket platformës së tij, unë personalisht nuk kam ndonjë bindje të veçantë për arsye se roli i presidentit në Maqedoni ka qenë i paprekur nga ana e shqiptarëve. Dhe, është institucioni i vetëm që nuk ka asnjë shqiptar të punësuar. Sidomos këto katër vitet e fundit, edhe ata pak konsuj që kanë qenë nëpër ambasada të huaja, asnjë shqiptar. Prandaj, dhe votat që pritet t’i marrë z. Reka, do të jetë faza e parë, nëse këto vota do të merren nga faktori shqiptar dhe me siguri po, si do të administrohen”, tha ai.

Sipas tij, ka një logjikë juridike që në të ardhmen Maqedonia e Veriut të ketë një president shqiptar, e ajo është që përzgjedhja e presidentit të bëhet përmes Kuvendit.

Selmani: Ajo që po ndodh tash është një kamuflazh

“Kjo do të ishte fitorja njëherë e përgjithmonë, sepse nga ana e presidentit do të ishte mirë dhe e mbrojtur në aspektin juridik. Dhe, pjesa tjetër që po ndodh tash është vetëm një kamuflazh, pasi do të ketë një votim të shqiptarëve, por në fund do të dal vetëm një votim emocional dhe në cilën kuti, të cilit kandidat maqedonas do të përfundojë”, u shpreh Selmani.

Të dielën, në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa nesër fillon heshtja zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat