Interesim i ulët nga nxënësit për drejtimet profesionale në Maqedoni

Maqedonia

Interesim i ulët nga nxënësit për drejtimet profesionale në Maqedoni

Më: 19 prill 2019 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Nga viti në vit po humbet interesimi për shumë drejtime profesionale në arsimin e mesëm. Mes faktorëve që nënvizojnë përfaqësuesit e shkollave të mesme është ulja e numrit të nxënësve në ciklin fillore dhe shpërngulja drejt shteteve perëndimore.

Për të nxitur nxënësit drejt edukimit profesional, shkolla e mesme “Dimitar Vllahov” organizoi ditë të hapur dhe promovoi drejtimet që këtë vit janë paraparë me konkurs si: shërbime profesionale, drejtimi i grafikës dhe profesione kimike-teknologjike me arsim tre dhe katër vjeçar.

“Për drejtimin e grafikës çdo herë nga pala shqiptare është shfaqur më pak interes. Mirëpo, çdo herë në konkurs ekziston si paralele edhe besoj që edhe nëse nuk ka të regjistruar edhe sivjet, në të ardhmen do të ketë sërish konkurs për drejtimin e grafikës. Mendoj që te popullata shqiptare drejtimi i grafikës dhe drejtimi kimiko teknologjik është deficitar”, u shpreh Xhejlan Aliji, Sh.M.Q “Dimitar Vllahov”.

Disa nga nxënësit që sot vizituan hapësirat e shkollës tashmë kishin vendosur të bëhen nxënës të ardhshëm të kësaj shkolle profesionale. Ndërsa ata që po e përmbyllin shkollimin këtu apelojnë që nxënësit të regjistrohen në shkollat profesionale.

Nga Oda Ekonomike vazhdimisht apelojnë që filloristët të orientohen në drejtimet profesionale pasi shumë kompani po përballen me mungesë të kuadrit në profile të ndryshme. Afati i parë për regjistrim në shkolla të mesme është paraparë të mbahet më 17 dhe 18 qershor ndërsa rezultatet do të shpallen më 19 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat