Kandidatët për president, me retorikë të matur para shqiptarëve - Bota Sot
Kandidatët për president, me retorikë të matur para shqiptarëve

Maqedonia

Kandidatët për president, me retorikë të matur para shqiptarëve

Më: 25 prill 2019 Në ora: 14:26
Një nga tubimet elektorale për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Dy kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut që kaluan në balotazhin që do të mbahet më 5 maj, në tubimet me elektoratin janë përqendruar edhe në votat e shqiptarëve, të cilat besohet se janë vendimtare duke marrë parasysh rezultatet thuajse të barabarta, por edhe rreth 80 mijë votat që mori në raundin e parë kandidati shqiptar, Blerim Reka.

Në tubimet me elektoratin, por edhe në paraqitje të ndryshme para mediave për herë të parë, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska- Davkova, si dhe partia që e ka nominuar VMRO DPMNE-ja, kanë ndryshuar retorikën nga ciklet e kaluara zgjedhore duke ftuar shqiptarët që të votojnë për të në raundin e dytë më 5 maj.

Siljanovska, ndërkohë, i ka quajtur të palogjikshme dhe tendencioze deklaratat e zyrtarëve të LSDM-se, se ajo është albanofobe dhe se nuk duhet të llogarisë në votat e shqiptarëve.

“Mund të dëgjojmë deklarata tragjikomike se gjoja unë kam qenë albanofobe. Kjo është jashtë logjikës së shëndoshë, dhe jo vetëm nga realiteti. Albanofobia është sjellje jonjerëzore. Unë asnjëherë nuk kam bërë diçka të tillë në jetën time. Që nga fëmijëria jam shoqëruar me shqiptar dhe mund të numëroj shumë shembuj të bashkëjetesës. Nga ta kam mësuar se çfarë është Besa, fjalë e dhënë e shumë gjera tjera të mira”, ka deklaruar Siljanovska.

Ajo ka theksuar se në fjalimet e saj në tubimet me elektoratin asnjëherë nuk ka përçuar urrejtje mes bashkësive, përkundrazi, u është drejtuar të gjithë qytetarëve ashtu siç do t’u drejtohet deri në fund të fushatës zgjedhore.

“Unë, në të gjitha deklarata te mia i drejtohen të gjithë qytetarëve. Është e qartë se qytetarëve e bashkësisë etnike shqiptare janë në numër impozant të trupit votues. Ashtu sikur Blerim Reka, edhe unë u drejtohem të gjithë individëve gjatë paraqitjeve të mia, nuk përfaqësoj parti politike pasi jam kandidate e pavarur. Unë u garantoj të gjithëve se nëse zgjidhem presidente, do të punoj për të gjithë njësoj, si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët, turqit, serbët, romët, boshnjakët e bashkësitë e tjera etnike”, ka theksuar Siljanovska.

Edhe VMRO-ja, e cila në vazhdimësi ka kundërshtuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës juridike të shqiptarëve në shtet, si Ligjin për gjuhën, për simbolet kombëtare e çështje tjera, ka kërkuar mbështetje në raundit e dytë.

Ndërkohë, edhe kandidati i social-demokratëve, Stevo Pendarovski, që ka mbështetjen edhe të 31 partive politike , sikur në raundin e parë edhe tani ka bërë thirrje për zgjedhjen e një presidenti me mbështetjen e të gjitha partive politike.

“Dua t’u drejtohem edhe të gjithë atyre që votuan për Blerim Rekën. Pres mbështetjen e tyre në raundin e dytë për të çuar para Maqedoninë e Veriut, konceptin tonë ‘një shoqëri për të gjithë’, për ta bërë vendin, shtet të të gjitha bashkësive etnike dhe jo për ta kthyer në izolim dhe pa perspektivë”, është shprehur Pendarovski.

Lidhja Social- Demokrate që drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev, është e para e cila që para dy vjetësh, por edhe më herët kur ishte në opozitë, ka dalë me konceptin “Maqedonia për të gjithë”, për çka edhe ka marrë shumë vota të shqiptarëve, ndërsa në Kuvend dhe Qeveri është e përfaqësuar me deputetë dhe ministra shqiptarë.

“Unë e di se në rrethin e dytë qytetarët edhe më fuqishëm do të mbështesin përparimin, do të mbështesin konceptin tonë që në këtë shtet të gjithë të jenë të barabartë pasi vetëm kështu vendi ynë mund të ketë perspektivë, zhvillim dhe mund të bëhet pjesë e familjes evropiane”, ka deklaruar Zaev.

Dallimi mes dy kandidatëve në rrethin e dytë ka qenë 4500 vota në favor të kandidatit të social-demokratëve, Stevo Pendarovski, por mosdalja eventuale e votuesve të kandidatit shqiptar, mund të rrezikojë arritjen e pragut zgjedhor prej 40 për qind pasi në raundin e parë në zgjedhje kanë dalë 41.79 për qind nga 1.8 milionë qytetar me të drejtë vote./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...