Shkup, sindikatat protestojnë për rritje pagash dhe kushte në punë

Maqedonia

Shkup, sindikatat protestojnë për rritje pagash dhe kushte në punë

Më: 1 maj 2019 Në ora: 15:37
Protesta për 1 Maj në Shkup

Të pakënaqur me gjendjen ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, e kërkesa tjera për sigurimin e kushteve elementare për një jetë normale, në Shkup nën organizimin e organizatave sindikale janë mbajtur protestat tradicionale me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve.

Por, pavarësisht se kanë kërkesa thuajse të njëjta, sindikatat nuk kanë arritur të mbajnë një protestë të vetme. Lidhja e sindikatave, konfederata e sindikatave të lira, sindikata e punonjësve mediatikë, ajo e diplomatëve, e punonjësve të kulturës, sindikata e pavarur akademike, kanë organizuar protesta të veçanta të shprehjes së pakënaqësisë, ndërsa si destinacion të fundit kishin Qeverinë ku edhe janë prezantuar kërkesat për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve, me theks të veçantë rritjen e pagave.

"Për momentin paga minimale te ne sillet në rreth 38 për qind të vlerës së shportës konsumatorit për një familje katër anëtarëshe, ndërkohë që rekomandimet e BE-së flasim mbi nevojën që ajo të mos jetë më e ulët se 60 për qind. Ne, kërkojmë që paga minimale të rritet në 13.800 denarë apo në rreth 220 euro. Ne, gjithashtu kërkojmë më shumë kontrata pune në kohë të pacaktuar, pushimi i lindjes të rritet nga 9 në 12 muaj, të mos rritet mosha e daljes në pension, t’i jepet fund mobingut. Të gjitha këto kërkesa janë të qëndrueshme dhe nuk mund të konsiderohen si luks, pasi me to synohet të sigurohen kushtet më elementare të punëtorëve që familjet e tyre të mund të sigurojnë ekzistencën“, thotë Darko Dimovski nga Lidhja e Sindikatave.

Drejtuesit e një organizate tjetër, thonë se punëtorët aspak nuk janë të mbrojtur në vendet e tyre të punë dhe kjo ka bërë që të ketë edhe raste të aksidenteve fatale për shkak të mosrespektimit të Ligjit për shëndet dhe siguri në punë.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur 123 raste, prej të cilëve 33 kanë përfunduar me vdekje. Ky duhet të shërbejë si alarm për ndërhyrjen e institucioneve për të garantuar jetën e punëtorëve”, thotë Rubinço Arizanovski nga shoqata “Punëtori me dinjitet”.

Nga Qeveria thonë se institucionet veprojnë gjatë shkeljeve, ndërsa premtojnë masa e aktivitete për ngritjen e standardit të punëtorëve. Nga Inspektorati i Punës thonë se çdo ditë pranojnë denoncime shkeljen e të drejtave në punë.

“Punëdhënësit mbajnë punëtorë të pa paraqitur, pa kontrata pune, pa sigurime shëndetësore e pensionale, i mbajnë në punë jashtë orarit të përcaktuar me ligj, nuk i mundësojnë shfrytëzimin e pushimit vjetor”, thotë Monika Mitrevska, nga Inspektorati shtetëror i Punës.

Nga Qeveria që udhëhiqet nga socialdemokratët e kryeministrit, Zoran Zaev thonë se dy vjet nga ardhja e saj, shumë gjëra kanë ndryshuar ndërsa përmendin rritjen e pagës minimale, që e ka rritur në afër 400 euro edhe pagën mesatare në vend.

Gjithashtu nënvizojnë masat tjera në ndihmë të familjeve me asistencë sociale, kurset e ndryshme pa pagesë për aftësimin e tyre për punë, subvencionet në bujqësi e blegtori, ndërsa si të arritur më të madhe theksojnë uljen e papunësisë nën 20 për qind, që sipas Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është ulja më e madhe që nga pavarësia e vendit, edhe pse ekspertët thonë se kjo shifër nuk është rezultat i masave të Qeverisë, por e largimit të popullatës jashtë vendit, në kërkim të një jete më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat